Në organizim të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, sot (3 maj 2023), në Universitetin e Evropës Juglindore u mbajt promovimi i librit “Strategjia e Marketingut” i autorëve Nail Reshidi & Granit Baca.
Në fjalën e tij të hapjes, Rektori i Universitetit të Evropës juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, falënderoi autorët që e kanë zgjedhur ta promovojnë këtë libër në universitetin tonë, sepse bëhet fjalë për një libër shumë specifik për nga struktura dhe forma.
“Ajo që e bënë të veçantë librin është edhe paraqitja vizuale, si dhe përmbajtja e shkruar në gjuhë shumë të kuptueshme. Mendoj se libri përveç në Universitetin tonë, që do ta rekomandojmë të jetë në kategorinë e teksteve të domosdoshme universitare i njëjti duhet të përdoret edhe në tëerë rajonin në kuadër të hapësirës së universiteteve shqiptare”, theksoi për Televizionin KOHA Rektori Bexheti.
Për librin foli edhe recensentja Justina Pula – Shiroka, tha se është nder për mua të kthehem pas 20 viteve në universitetin ku kam ligjëruar dhe kontribuar. Bashkëpunimi ynë ka qenë i shkëlqyeshëm ashtu siç edhe ky libër që po promovojmë sot.
Autori i librit, Nail Reshidi, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë përgatitjes së librit dhe falënderoi posaçërisht UEJL-në dhe fakultetin Biznesit dhe Ekonomisë në veçanti për përkrahjen e dhënë.
Promovimin e moderoi dekania Prof. Dr. Hyrije Abazi-Alili, e cila tha se është nderë për Fakultetin të jetë promotor i librave kaq me vlerë. /Televizioni KOHA/