Një javë pas shkarkimit kontrovers, Këshilli Gjyqësor nuk ka publikuar ende në gazetën zyrtare vendimin për shkarkimin e kryetares Vesna DamevaKjo nënkupton se, shkarkimi i Damevës mbetet ende joformal. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga sot u përmbajt nga komentet rreth situatës në këtë këshill, pasi tha se, edhe përkundër kërkesës së dërguar, ende nuk kanë pranuar procesverbalin nga kjo seancë.
“Nuk kemi përgjigje në lidhje me procesverbalin dhe rendin e ditës të cilin e kemi kërkuar nga ana e Këshillit Gjyqësor. Nuk dua të hyjë në komentimin e mëtutjeshëm sepse nuk kam dokumentin e kërkuar në fjalë, por duhet thënë edhe ajo që nuk kemi as edhe një publikim të një vendimi në gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk kam çfarë të komentoj më tutje” – tha Krenar Lloga.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, duke komentuar edhe një herë zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor, tha se nëse ky këshill nuk zgjedh kryetar, gjykatësit nuk do të mund të marrin paga.Pendarovski porositi që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur, jo vetëm për pagat e gjykatësve, por sepse ajo hedh njollë të errët mbi tërë dosjen evropiane, por para së gjithash mbi dosjen demokratike të Maqedonisë së Veriut.
“Unë nuk mbaj mend ndër vite më parë në Maqedoni të kemi pasur skena aq të pakëndshme të lidhura me sferën e cila, me të drejtë kritikohet ashpër dhe prej së cilës na vijnë lajme negative. Do të thotë, ajo ishte një situatë e cila nuk duhet të lejohen në shtet i cili negocion me BE-në dhe synon që nesër të jetë anëtare e klubit të demokracive më të mëdha në botë” – deklaroi Pendarovski.
Ndërkaq, Grupi Parlamentar I VMRO-DPMNE-së dhe partnerët e koalicionit, në Kuvend kanë dorëzuar Informatën për situatën në Këshillin Gjyqësor, ku kërkojnë që të vendoset si pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme plenare të caktuar më 10 Maj.Opozita kërkon, të shqyrtohet situata, sic thonë, katastrofale dhe konfuze në Këshillin Gjyqësor, që rezultoi, sic thonë, me shkarkimin e jashtëligjshëm dhe kundërkushtetues të Kryetares, Vesna Dameva.