Maqedonia e Veriut ka mediat më të lira në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor – thuhet në Raportin më të ri të organizatës “Reporterët pa kufij”.
Pavarësisht kësaj, në këtë raport thuhet se krahas progresit prej 19 vendeve, gazetarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me shumë probleme, duke llogaritur edhe presionet politike.
Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 38-të, në klasifikimin për vitin 2023, rangim që përfshinë 180 vende të botës dhe renditet para vendeve si Italia, Kroacia, SHBA, Sllovenia, Polonia, Japonia, Bullgari dhe Greqia.
Krahas progresit, gazetarët në Maqedoninë e Veriut edhe më tej përballen me financim jotransparent dhe jostabil, me konflikte interesash, presione politike, fushata shpifjesh dhe maltretimesh nëpër rrjetet sociale. Maqedonia e Veriut mbetet në gjysmën e dytë të vendeve në Ballkan, por ka potencial të madh për ndryshime, sikurse Mali i Zi dhe Kosova” thuhet në raport. Vendin e parë në listë e ka Norvegjia, para Irlandës, Danimarkës, Suedisë dhe Finlandës.
Në fund të listës janë Koreja e Veriut, Kina dhe Vietnami. Rreth 40 gazetarë lënë stilografat dhe përvjelën krahët, këtë herë për të dhuruar gjak. Në këtë mënyrë gazetarët e Maqedonisë së Veriut shënuan ditën ndërkombëtare të lirisë së mediave. Përfaqësues të shoqatave sindikale të gazetarëve, njoftuan se dy të tretat e gazetarëve dhe punonjësve nëpër media marrin paga mesatare ose nën mesataren.Lufta për përmirsimin e kushteve të gazetarëve vazhdon thanë njëzëri përfaqësuesit e organizatave të mediave.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Dejvid Gir tha se Bashkimi Eropian vazhdon të vëzhgojë dhe përkrah punën e mediave në vend. Sipas regjistrit të Shoqatës së Gazetarëve, vitin e kaluar ishin evidentuar shtatë raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Një pjesë e tyre janë verbale, disa të tjerë përmes rrjeteve sociale por janë shënuar edhe sulme fizike.