Dita e sotme, nën moton “Formësimi i së ardhmes së të drejtave: Liria e shprehjes si shtytëse për të gjitha të drejtat e tjera të njeriut” ka për qëllim që ta rrisë vetëdijen për rolin e gazetarëve dhe mediave në promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe të përkujtojë se pa liri të mediave nuk ka liri të shprehjes, theksuan nga Agjencia për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuele.
“Sipas raportit të fundit të Reporterë pa kufij për vitin 2023, Maqedonia shënon përmirësim të rëndësishëm në fushën e lirisë së mediave, por edhe më tutje ka sfida me të cilat duhet të përballet. Në atë drejtim, Agjencia si edhe deri më tani do të vazhdojë të veprojë në mënyrë proaktive në rritjen e vetëdijes për rolin e mediave”, nënvizohet në kumtesë.
Shtohet se Dita Botërore e Lirisë së Mediave shënohet për të 30-tën herë dhe përfaqëson përkujtues për qeveritë dhe organizatat që ta respektojnë dhe mbështesin të drejtën e lirisë së shprehjes, të paraparë me nenin 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të KB-së.