Site icon Tetova Expres

Notë “tre” për shkollat nga inspektorët e arsimit: higjienë e dobët dhe mungesë e kompjuterëve

Kushtet e dobëta higjienike në shkolla dhe sallat e sportit, mungesa e mjeteve ndihmëse mësimore (harta gjeografike, globe, hamerë, harta historike, smart tabela, trupa gjeometrikë, herbariume etj.) si dhe mungesa e kompjuterëve dhe pajisjeve kompjuterike në procesin e mësimdhënies janë mangësitë më të shpeshta që i kanë shënuar inspektorët e arsimit në raportet e tyre gjatë vlerësimit të punës së shkollave në Maqedoni. Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) tashmë për më shumë se një dekadë ndjek punën e shkollave dhe mbi bazë të saj edhe i vlerëson ato. Përmes vlerësimit integral, i cili kryhet çdo tre vjet, mund të shihet se cilat janë pikat e forta dhe cilat janë dobësitë e shkollave, shkruan Portalb.mk.

Meta.mk kërkoi informacion dhe të dhëna nga ISHA për inspektimet e fundit të kryera në shkolla, nga ku na dërguan raporte për disa shkolla.

“Në tetor të këtij viti shkollor janë realizuar 12 vlerësime integrale, nga të cilat shtatë në shkolla fillore dhe pesë në ato të mesme. Nga këto 12 shkolla, katër u vlerësuan me notë “pjesërisht kënaq”, dhe tetë shkolla u vlerësuan me notën “mirë”, thonë nga ISHA.

Notat që një shkollë mund t’i marrë për punën e saj janë “shumë mirë”, “mirë”, “pjesërisht kënaq” dhe “e pakënaqshme”. Në vendin tonë asnjë shkollë nuk është vlerësuar si “e pakënaqshme”, bëjnë të ditur nga ISHA.

Sipas indikatorëve, vlerësohet planifikimi dhe përgatitja e procesit mësimor të cilin e realizon secili mësues. Gjithashtu matet dhe vlerësohet përdorimi i qasjeve të ndryshme në mësimdhënie, si dhe nëse ata mbajnë me rregull dhe siç duhet evidencën pedagogjike. Gjithashtu, për të formuar notën në nivel të shkollës shihet edhe se si çdo mësues i vlerëson nxënësit (a e bën këtë në mënyrë të vazhduar, me ndërprerje apo herë pas here duke i zbatuar standardet),shkruan Portalb.mk. Është me rëndësi edhe nëse mësuesi planifikon dhe organizon takime me prindërit dhe nëse ka certifikata për zhvillim profesional. Po ashtu analizohet edhe atmosfera e punës brenda shkollës dhe merret parasysh edhe puna e shërbimit profesional dhe drejtorit të shkollës.

Advertisement

Sa i përket lëndës së TIK-ut, problemi është se klasat ose janë të pajisura dobët me kompjuterë, ose ato që janë nuk përdoren. Ndër “dobësitë” inspektorët e kanë listuar edhe inventarin e vjetërsuar të shkollave, shkollat e pasiguruara, qëllimet e pa përshtatura për ligjërimin e lëndëve sipas nevojave arsimore të nxënësve, mungesën e rampave për qasje për personat me aftësi të kufizuara, shkruan Portalb.mk.

Gjithashtu, në këto “dobësi” bën pjesë edhe ajo që në disa shkolla qasja e mësimdhënësve ndaj mësimdhënies është e njëjtë për të gjithë nxënësit, e kështu është, për shembull, në shkollën “Kiro Spanxhov-Brko” në Kavadar.

“Mësuesit nuk e përshtasin zgjedhjen e detyrave dhe aktiviteteve me nevojat individuale arsimore të nxënësve. Ata nuk i njoftojnë prindërit dhe nxënësit me standardet dhe kriteret e vlerësimit, nuk përdorin metoda të ndryshme vlerësimi, nuk monitorojnë në vazhdimësi ecurinë e nxënësve, nuk i përfshijnë nxënësit në vlerësim nëpërmjet vetëvlerësimit. Shkolla nuk ka procedura të parapara për mekanizmat dhe instrumentet për nxënësit e talentuar, si dhe për identifikimin dhe monitorimin e nxënësve me vështirësi në mësim”, ka shënuar në raportin e tij inspektori përgjegjës për këtë shkollë.

Çdo shkollë ka pikat e saj të forta. Kështu, në “Strasho Pinxhur” në Vevçan, shumica e mësimdhënësve përdorin teknika, forma dhe metoda interaktive bashkëkohore të mësimdhënies, nxënësit marrin pjesë në gara, mësimdhënësit vazhdimisht avancohen me trajnime, kurse, seminare, projekte. Ngjashëm është edhe në “Vëllezërit Milladinovci” në Aerodrom të Shkupit, ku ka pjesëmarrje të madhe në gara dhe suksese të nxënësve në nivel komunal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Roli i vlerësimit integral nuk është represiv, pra nuk ka dënime për shkollat me nota më të ulëta dhe qëllimi është të shihet cilësia e sistemit arsimor në vend.

Advertisement
Exit mobile version