Site icon Tetova Expres

Ambasada amerikane “dridh” gjyqësorin, këtij fakti duhet t’i gëzohen shqiptarët!

 Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor ka pësuar rënie drastike nga 8% që ishte shifër alarmante dhe shqetësuese, deri te rezultatet e publikuara të hulumtimit të fundit nga IRI besimin në gjyqësor ka rënë në 4%. Kur besimi në gjyqësi është në nivelin më të ulët të mundshëm çfarë pritet nga institucionet tjera kur institucionet e drejtësisë nuk janë të afta as të ndajnë drejtësi e as të merren me rastet e montuara politike, e aq më pak me korrupsionin në vend. Trazimet në drejtësi nuk ndalen pas letrës së ambasadores amerikane, Angela Aggeler, drejtuar disa institucioneve në vend, në të cilën shprehte shqetësimin për mënyrën e procedimit dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë. Dhe, këtij fakti duhet t’i gëzohen më shumti shqiptarët që po dergjen burgjeve padrejtësisht, që tani më gjyqësia është nën llupën amerikane me çka më në fund shihet dritë në fund të tunelit dhe ngjallen shpresat që drejtësia dhe gjyqësia do të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe jo selektive siç kanë vepruar deri më tani. shkruan Zhurnal.

Gjyqësori në RMV në fokus të ambasadës amerikane në Shkup –

Letrën e cila trazoi opinionin dhe tundi pushtetin gjyqësor, ambasadorja amerikane e ka dërguar më 11 prill të këtij viti. Në të ajo shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin në procedurë të shkallës së parë për rigjykim të disa lëndëve të profilit të lartë.

“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të çështjeve (të profileve të larta) që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për të proceduar me shpejtësi çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe transferimin e tyre mbrapa dhe ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka tek gjykatat”, thekson ambasadorja Aggeler në letër. Kjo letër është dërguar në adresat e thuajse të gjitha institucioneve vendore.

Kësaj, letre të ambasadores amerikane ku shpreh vërejtjet e saj për punën e gjyqësorit më së shumti duhet t’i gëzohen shqiptarët, pasi drejtësia më në fund është nën llupën amerikane, dhe shpresohet që për një kohë të shkurtë gjitha rastet e montuara do të zbardhen dhe më në fund drejtësia do të vij në vendin e vet.

Advertisement

Pas reagimeve fillestare të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv se gjyqtarët dhe ata që drejtojnë punën e tyre duhet t’u përgjigjen vërejtjeve, institucionet e drejtësisë këto ditë janë rrethuar nga turbulenca që rezultuan me shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, që disa ekspertët juridik e konsiderojnë të paligjshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar të mërkurën në mënyrë të papritur kryetaren Vesna Dameva në një seancë publike. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja Aggeler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia.

Kujtojmë që më herët, ambasadorja amerikane Ageler kishte thënë se nuk është e sigurt në qoftë se edhe vetingu në gjyqësor do të ndihmonte, pasi siç potencoi ajo, në një vend ku ka korrupsion, ky proces vështirë bëhet në formë të drejtë dhe transparente.

“Korrupsioni është kancer, dhe është shumë i përhapur këtu…Viktimat e korrupsionit janë njerëzit e këtij vendi. Ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në ambasadë dhe në Uashington që të ndihmojmë qytetarët e këtij vendi ta sulmojnë atë kancer”, deklaroi Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.

Aggeler siç mësoi Alsat në letrën drejtuar institucioneve gjyqësore dhe disa anëtarëve të ekzekutivit. Në letër, theksohej shqetësimi i saj për gjyqësorin e vendit, duke thënë se SHBA-të kanë shpenzuar mbi 560 milion dollarë për të ndihmuar vendin në këtë fushë, ndërsa rezultate nuk ka.

Advertisement

Sa është besimi në gjyqësi sipas anketës së fundit?

Vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit, kjo sipas anketës së fundit që IRI që është publikuar ditëve të fundit. Anketat e mëhershme tregonin se 8 për qind e qytetarëve të anketuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut i besonin tërësisht gjyqësorit, për një vit ky besim ka shënuar ulje drastike. Në anketën në fjalë dukshëm është ulur besimi edhe në Prokurori, Polici, Sistemin shëndetësor, punën e Qeverisë, Arsimin.

Kjo tregon që besimi në gjyqësi dhe institucionet e drejtësisë është shqetësues se është shumë i ulët, e më shqetësuese se kaq është fakti se besimi nuk shkon në rritje vetëm në ulje e sipër. E kjo është dëshmuar që brenda vitit nga 8% ka rënë në 4%, e nuk dihet vitin e ardhshëm kjo përqindje ku do përfundojë.

Në Maqedoninë e Veriut secili politikan i dytë fletë për të drejta dhe liri të qytetarëve, por kur vjen në shprehje transparenca dhe llogari dhëni atë gjithë stepen dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Mes tjerash Maqedonia e Veriut do të ketë edhe regres përderisa gjyqësia në vend vepron dhe merr vendime varësisht përkatësisë etnike.

Të gjithë qytetarët të barabartë përballë ligjit kjo tezë nuk vlen dhe nuk hy në punë në RMV pasi shumica e ligjeve janë përzgjedhës të qytetarëve se cilës etni i takojnë. Gjyqësia duhet të pavarësohet njëherë e përgjithmonë dhe qytetarët duhet të ndihen të lirë e të barabartë në vend, vetëm në këtë formë mund të arrihet progresi i dëshiruar. /Zhurnal.mk

Advertisement
Exit mobile version