Site icon Tetova Expres

Filloi seanca gjyqësore për rastin e Muhamed Zeqirit: Fatmir Bytyqi, Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës deshmitarë të mbrojtjes

Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot pritet të mbahet seancë gjyqësore për rastin e i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri, i cili akuzohet për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, njofton Portalb.mk.

Në seancën paraprake, gjykimi nisi nga fillimi, pasi kanë kaluar 90 ditë prej seancës së fundit kur është mbajtur.

Prokuroria e akuzon Zeqirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zeqiri tha se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Advertisement

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila në qershor të këtij viti për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjyqi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska.

Exit mobile version