Mungesa e mirëqenies sociale në rajon krijon edhe varësi nga shtetet tjera që kanë ekonomi më të fuqizuar. Por, megjithatë cilësia e ulët e jetesë si pasojë e krizave të njëpasnjëshme ekonomike qytetarët e kanë të pamundur t’ia dalin me shpenzimet krahas të ardhurave që marrin. Prandaj, shpesh herë si alternativë e vetme për shpëtim dhe mbulim të shpenzimeve mujore e vjetore qytetarët shfrytëzojnë kanalet e huamarrjes. Huamarrja ndahet në dy grupe, huamarrje nga institucionet financiare, dhe huamarrje nga miqtë dhe familjarët. Në vendet tona më e shpeshtë është kjo nga familjarët dhe miqtë, pasi për të marrë hua nga bankat kërkohen kritere që jo secili qytetarë i plotëson. Sipas një raporti hulumtues, Shqipëria renditet në vendin e 82-të, me 30.00% të të anketuarve që u drejtohen familjes dhe miqve për të marrë hua, mbi 20 vende pas Maqedonisë së Veriut (25.14%) dhe Kosovës (25.86%) e cila renditet në vendin e 66-të. Në Evropë, Shqipërisë ia kalojnë vetëm Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Kjo nënkupton, që shqiptarët në Shqipëri, por edhe Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, shpesh herë marrin ndihmë dhe mbështetje financiare edhe në formë të huamarrjes pasi alternativë tjetër nuk kanë për t’ia dalë mban me shpenzimet tejet të larta si pasojë e çmimeve të larta të produkteve dhe shërbimeve në këto vende. Mes tjerash nivel i lartë i papunësisë, dhe pagat tejet të ulëta, janë faktorë shtytës që metoda e huamarrjes të jetë mjet shpëtimi, shkruan Zhurnal.
Kujt i marrin më shumë borxh shqiptarët?
Kujt i marrin më shumë borxh shqiptarët në çaste vështirësie apo kur duan të bëjnë një investim? Bankës, familjes, miqve apo institucioneve të tjera financiare? Sipas raportit të portalit shqiptar Monitor kjo zgjedhje shpesh varet nga një përzierje faktorësh të ndryshëm, duke përfshirë disponueshmërinë e shërbimeve financiare, edukimin financiar dhe qasjen kulturore ndaj vetë konceptit të huadhënies. Me anë të grafikëve të mëposhtëm, Richie Lionell hedh pak dritë se nga ku njerëzit huazojnë para, duke përdorur bazën e të dhënave të Findex Global 2021 të publikuar nga Banka Botërore.
Për të krahasuar praktikat e huamarrjes si për vendndodhjen ashtu edhe për nivelin e të ardhurave, grupi i të dhënave përmban rezultatet e anketimit nga të anketuarit e moshës 15+ dhe i grupon vendet sipas rajonit, përveç vendeve me të ardhura të larta, të cilat janë grupuar së bashku. Në vitin 2021, shumica e individëve në ekonomitë me të ardhura të larta, morën hua para nga institucionet financiare. 81% e të anketuarve marrin hua nga institucionet financiare. Kanadaja kryeson listën. Ndërkohë, Izraeli (80%), Islanda (73%), Hong Kongu (70%) dhe Koreja e Jugut (69%) nuk mbeten shumë prapa.
Kjo nuk është befasuese për vendet më të pasura, pasi shërbimet financiare në këto vende janë më të disponueshme dhe më të qasshme. Kjo, së bashku me njohuri më të larta financiare, duke përfshirë një kuptim të përgjithshëm të normave të interesit dhe mundësive për ndërtimin e kredive, kontribuojnë në popullaritetin e institucioneve financiare.
Gjithashtu, vlen të përmendet se disa vende kanë praktika kulturore që ndikojnë në. Për shembull, 61% e të anketuarve në Japoni përdorën institucione financiare formale, të cilat janë një opsion më i pranueshëm shoqërisht, sesa kërkimi për të marrë hua nga miqtë dhe familja (vetëm 6% e njerëzit në Japoni).
Shqipëria renditet në vendin e 79-të, me 13.39% e të anketuarve që marrin hua nga institucionet financiare, rreth 10 vende më poshtë se Serbia dhe Greqia. Ndërsa Kosova renditet në vendin e 72-të me një nivel huamarrje nga institucionet financiare 17.61%. Në Evropë, përqindjen më të ulët pas Shqipërisë, e ka vetëm Moldavia.
Borxhet te miqtë dhe familja, Shqipëria e para në Evropë –
Shqipëria renditet në vendin e 82-të, me 30.00% të të anketuarve që u drejtohen familjes dhe miqve për të marrë hua, mbi 20 vende pas Maqedonisë së Veriut (25.14%) dhe Kosovës (25.86%) e cila renditet në vendin e 66-të. Në Evropë, Shqipërisë ia kalojnë vetëm Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Këto preferenca mund t’i atribuohen faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë mungesën e besimit në institucionet bankare dhe financiare, mungesën e qasjen në shërbime të tilla ose mungesën e informacionit për shërbime të tilla, nëse ato janë të disponueshme. Në disa shoqëri, huamarrja nga miqtë dhe familja mund të shihet si një normë kulturore, veçanërisht në vendet ku mbështetja e ndërsjellë dhe solidariteti luajnë një rol të fortë.
Përse borxhet dhe huat të jenë në nivel të lartë –
Vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht dritë shprese apo mjet shpëtimi kanë huat apo borxhet që marrin si nga institucionet financiare ngjashëm edhe nga miqtë dhe familjarët. Shqiptarët që jetojnë në Ballkan e kuptojnë dhe e dinë këtë gjë më së miri, sepse kemi të bëjmë kryesisht me vende jo të zhvilluara mjaftueshëm ekonomikisht, prandaj edhe nevojat janë më të mëdha.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe Kosova janë shtete të cilat kanë numër tejet të lartë të qytetarëve në migrim dhe kjo krejt si pasojë e kërkimit të një jete më të mirë. Sepse, në këto vende mbase është e vështirë për të jetuar më shumë ka përpjekje për mbijetesë. Prandaj, kur kemi numër të lartë të qytetarëve jashtë vendit kemi të qartë për jetën dhe cilësinë e saj që zhvillohet në këto vende.
Megjithatë, duhet të kujtojmë ajo që përsëritet shumë herë është fakti që mërgata në diasporë është infuzion për ekonomitë e vendeve në këtë rajon. Prandaj, shumë familje dhe qytetarë mbijetojnë vetëm nga të ardhurat që marrin nga familjarët e tyre që jetojnë në diasporë. Kjo nuk është zgjidhje ideale, por është e patjetërsueshme. Pasi pamundësia për tu punësuar, pagat e ulëta dhe çmimet tejet të larta si të produkteve ngjashëm edhe të shërbimeve krijojnë këtë realitet që huat dhe borxhet të jenë mjet shpëtimi. /Zhurnal.mk