Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar zyrtarisht se do të kandidojë për rizgjedhje të martën, duke nisur një betejë për të bindur vendin që meriton katër vite të tjera në Shtëpinë e Bardhë dhe mosha e tij nuk do ta pengojë atë për të qeverisur.
Në një video të publikuar të martën, Biden e cilësoi garën e vitit të ardhshëm si një luftë kundër ekstremizmit republikan, duke argumentuar se atij i duhej më shumë kohë për të realizuar plotësisht zotimin e tij për të rivendosur “karakterin e kombit”.
“Kur kandidova për president katër vjet më parë, thashë se jemi në një betejë për shpirtin e Amerikës. Dhe ne jemi ende”, ka thënë ai në video.
“Pyetja me të cilën po përballemi është nëse në vitet në vijim kemi më shumë liri apo më pak liri. Më shumë të drejta ose më pak”, thotë Biden. “Unë e di se çfarë dua të jetë përgjigja dhe mendoj se edhe ju. Nuk është koha për të qenë të vetëkënaqur. Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për rizgjedhje”.
Deklarata zyrtare e Biden-it i jep fund çdo dyshimi të vazhdueshëm për qëllimet e tij dhe fillon një garë që mund të evoluojë në një revansh me rivalin e tij të vitit 2020, ish-presidentin Donald Trump.