Gjyqi i mundshëm ndërkombëtar i arbitrazhi për Korridoret 8 dhe 10-D do bëhet sipas ligjeve të Anglisë dhe Uellsit. Kjo është shkruar e zezë mbi të bardhë në marrëveshjen mes Bechtel&Enka dhe Qeverisë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Millosheski në emisionin “Rruga drejt” tha se ky veprim i Qeverisë favorizon konzorciumin para gjyqit ndërkombëtar.
“Qeveria e Maqedonisë është pajtuar për arbitrazh ndërkombëtare në Paris por ajo që neve nuk e pranojmë është që arbitrazhi të jetë sipas legjislacionit të Anglisë dhe Uellsit. Maqedonia ka bërë marrëveshje me EVN-në, ka bërë me TAV-in pra një kompani austriake dhe një turke, por arbitrazhi është paraparë të jetë sipas ligjeve të Maqedonisë. Kompanitë e mëdha të cilat e fitojnë të drejtën për arbitrazh në Paris sipas legjislacionit anglez janë në përparësi sepse ligjet e Anglisë nuk ka norma imperative të cilat do ta mbronin interesin publik dhe të drejtat e punëtorit”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Milloshoski deklaroi publikisht se subjekti i tij është në dijeni se njerëz të afërt me krerët e ekzekutivit kanë pasur informacion nga kalon traseja e Korridorit 8 dhe 10-D dhe kanë blerë toka me qëllim që më pas t’i shesin më shtrenjtë.
“Njerëz të afërt me Boçvarskin, Dimitar Kovaçevskin, Artan Grubin dhe Kreshnik Bekteshin paraprakisht e kanë ditur nga do të jetë traseja dhe nga do të kalonte autostrada, kanë blerë toka me çmime më të lira, pa i treguar pse dhe me shpronësimin e paraparë do të fitojnë 5-10 herë më shumë nga vlera e blerjes”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Duke folur për ndryshimet e propozuara ligjore të cilët lidhen me realizimin e Korridorit 8 dhe 10-D, sipas Milloshoskit ndryshimet e tilla nuk shpejtojnë punimet por rrisin kostot. Lidhur me dërgimin e Marrëveshjes me Bechtel&Enka në Prokurori Publike, Milloshoski thotë se kjo bëhet me qëllim që Qeveria të blen kohë dhe t’i shmanget publikimit. /Alsat.mk