Manifestimi tradicional “Kandilat e Bajramit” i cili organizohet nga Shoqata Kulturore “Vizion M” edhe këtë vit ndriçoi qytetin, si dhe gëzoi fëmijët e shumtë të cilët ndoqën dhe morën pjesë në një sërë aktivitetesh të këtij manifestimi. Fëmijët me autobusin e Bajramit shëtitën nëpër lagjet e Shkupit, duke filluar nga xhamia e Mustafa Pashës deri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në sheshin para xhamisë Murat Pasha.
Kryetari i organizatës “Vision M”, Erduan Dauti, tha se qëllimi i manifestimit është që të sjellë gëzim tek të vegjlit.
“Në përfundim të muajit të Ramazanit me projektin tradicional manifestimi “Kandilat e Bajramit” edhe këtë vit fillon me autobusin e Bajramit ku me fëmijët do të ecin në disa rrugë të Çairit.”, – deklaroi kryetari i “Vision M”, Erduan Dauti.
Ata që i kënaqen më së shumti kandilave të Bajramit janë fëmijët, të cilët argëtohen pa masë gjatë shëtitjes.
“Çdo herë kam qenë pjesë e kandilave, gëzohemi se marrim dhurata për bajram.”. – tha një fëmijë.
“Unë kënaqem me shokë kur shëtisim me autobus.”, – u shpreh një fëmijë tjetër.
“Kam njoftuar shumë shokë dhe shoqe dhe gëzohemi shumë për festën e Bajramit.”, – tha një fëmijë tjetër.
“Unë kënaqem shumë kur shëtisim me autobus.”, – theksoi një fëmijë.
“Marrim dhurata dhe argëtohemi me shokët.”, – u shpreh një fëmijë tjetër.
Organizatorët kishin përgatitur ekspozitë me bizhuteri dhe art”, ndërsa nuk mungoi edhe koncerti për fëmijë “Fidanët e Bajramit”, ku u recituan poezi dhe u performuan valle tradicionale nga të rinjtë. Manifestimi përfundoi me shpërndarjen e 3.000 pakove ushqimore për fëmijët e pranishëm. (Rejhane Metaj, TVM2)