BDI sot përmes një kumtese ka mohuar kategorikisht lajmet që qarkulluan gjatë ditës së djeshme se gjoja partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti po negocion me ish kryeministrin Gruevski për të siguruar vota për ndryshimet Kushtetuese, përcjellë Klan M.
”BDI kategorikisht mohon lajmin e rrejshëm dhe spekulativ të botuar në TV Alsat dhe në portalin Fokus për gjoja negociata të BDI-së me ish-kryeministrin Gruevski për të siguruar votat për ndryshimet kushtetuese. Asnjë zyrtarë i BDI-së nuk ka asnjë kontakt, as tash dhe as në të kaluarën, që prej arratisjes së tij, për asnjë çështje të vetme me ish-kryeministrin Gruevski, andaj dhe shprehim keqardhje të thellë për publikimin e një spekulimi të tillë tendencioz dhe të pasaktë në media”, thonë nga BDI.
Nga atje kanë vlerësuar se ndryshimet kushtetuese janë të rëndësisë së veçantë për vendin dhe qytetarët dhe kanë ftuar mediat, shoqërinë civile, botën akademike, kontribuesit në opinionin publik, ta trajtojnë këtë temë me seriozitetin më të madh për arsye se përcakton të adhmën tonë të përbashkët.
“Opozita deklaratavisht mbështet integrimin europian të Maqedonisë së veriut dhe ne i ftojmë që këtë përcaktim të tyre programor ta realizojmë bashkarisht pa kalkulime partiake zgjedhore. BDI mbështet ndryshimet kushtetuese dhe vlerëson se ky proces e përforcon shtetin dhe e siguron procesin tonë integrues, por njëkohësisht edhe mbyll padrejtësitë shekullore duke mundësuar zero çështje të hapura me fqinjtë”, thuhet në fund të kumtesës së BDI-së.