Gjykimi kundër gazetarit Dragan Pavloviq Llatas dhe influencuesit Stefan Llazarov, të akuzuar për veprën penale “përhapje e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik” u shty për më 10 maj, pasi mbrojtja e të akuzuarit të parë, për shkak të obligimeve me një lëndë tjetër për krim të organizuar dhe korrupsion dhe me kërkesë për kontrollim të dokumenteve sot kërkoi shtyrjen e procesit.
Sipas akuzës, dy të akuzuart përmes sistemit kompjuterik kanë përhapur përfaqësim racist dhe ksenofobik të një ideje që promovon dhunë ndaj grave, që kanë shkaktuar reagime dhe një ndjenjë kërcënimi dhe shqetësimi në opinion.
“I akuzuari i parë, duke u paraqitur në një intervistë të publikuar më 14 shkurt si një podkast në kanalin Jutjub të akuzuarit të dytë, ka promovuar publikisht një akt të dhunës gjinore, duke evokuar kujtime të së kaluarës së tij të supozuar, pa shprehur dënim moral ose pendim, duke promovuar me vetëdije një dhunë të tillë. I akuzuari i dytë, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për ndikimin që e ka përmbajta që e transmeton, sidomos te popullata e re, megjithatë nuk e ka ndalur dhe as e ka ndërprerë bashkëbiseduesin, por më tej e ka shtyrë atë të ritregojë ngjarjen e diskutueshme me komente dhe nënpyetje” qëndron në kumtesën e Prokurorisë.
Llatasit, Gjykata Penale i ka caktuar masë parandaluese, përkatësisht marrje të përkohshme të dokumentit të udhëtimit, gjegjësisht ndalesë të lëshimit të tij dhe ndalesë të kryerjes së disa aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale, gjegjësisht ndalesë të paraqitjeve publike që promovon përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike, ndërsa Llazarovit i caktoi ndalesë për paraqitje publike.
Sipas Kodit Penal, ai që përmes sistemit kompjuterik në opinion shpërndan materiale të shkruara raciste dhe ksenofobike, fotografi ose paraqitje tjetër të një ideje ose teorie që ndihmon, promovon ose nxit urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër çdo personi ose grupi, në bazë të racës ngjyrës së lëkurës, origjinën kombëtare dhe etnike, si dhe besimin fetar, do të dënohet me burg nga një deri në pesë vjet.
Procesin e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurori Daniell Kocev.