Presidenti Stevo Pendarovski sot e nënshkroi Dekretin e Ligjit të miratuar për amnisti, në të cilin parashikohet personat e dënuar për veprat penale nga neni 205 “Transmetim i sëmundjes ngjitëse” dhe neni 206 “Mos veprim sipas rregulloreve shëndetësore gjatë një epidemie” nga Kodi Penal, gjatë pandemisë Kovid-19, dënimi me para ose dënimi me burg duhet të zëvendësohet me një masë alternative të dënimit me kusht”; informojnë nga kabineti i tij.
Sipas këtij ligji, personat gjoba me para e të cilëve është mbi 1000 euro ose dënimi i shqiptuar u zëvendësohet me dënim me burgim, do të dënohen me kusht prej tre vjetësh, ndërsa ata persona gjoba e të cilëve është deri në 1000 euro ose dënimi i shqiptuar u zëvendësohet me dënim me burg do të marrin një dënim me kusht prej dy vjetësh, gjatë të cilit nuk duhet të kryejnë një vepër të re penale.
Nga tre, përkatësisht dy vjet, dënim me kusht do të marrin edhe personat që kanë paguar një pjesë të gjobës mbi 1000 dhe deri në 1000 euro, me çka lirohen nga pagimi i pjesës tjetër të gjobës, nëse nuk kryejnë vepër të re penale.
“Në periudhën nga 01.01.2020 deri më 30.06.2022, 1.223 persona janë dënuar me gjobë prej 123.000 denarë. Sipas rregulloreve ligjore, nëse gjobat e vendosura nuk plotësohen brenda 2 viteve, gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve i zëvendëson me vendim me burgim. Për shkak të mos pagesës së gjobës, Gjykata Themelore Penale ka marrë vendime zëvendësuese, me të cilat gjoba me para është zëvendësuar me dënim me burg për 280 persona. Sipas të njëjtave vendime janë dhënë 205 akte referimi për vuajtje të dënimit me burg”, kumtojnë nga kabineti i shefit të vendit.
Nga aty theksojnë se nevojën e rregullimit të kësaj situate e imponon numri i madh i lëndëve të tilla në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
Ata sqarojnë se ligji nuk parashikon amnisti për personat juridikë dhe personat përgjegjës në personat juridikë të dënuar me vendim të plotfuqishëm me gjobë me para, për veprat penale nga neni 205 dhe neni 206 i Kodit Penal.
“Amnistia ekziston dhe aplikohet në shumë vende evropiane, ndërsa në vendin tonë që nga momenti i pavarësisë së saj janë miratuar më shumë ligje për amnisti, rikujtojnë nga kabineti.
Nga aty theksojnë se përmes amnistisë mund të korrigjohen gabimet gjyqësore në mënyrë të shpejtë dhe efikase në raste të caktuara.
“Korrigjimi i vendimit të gjykatës mund të kërkohet edhe nga arsye të tjera shtetërore-juridike dhe socio-politike, ndërsa nuk është e rrallë në një konstellacion të ndryshëm socio-ekonomik, veprimi i rrezikshëm shoqëror të humbet karakteristikat e tij më thelbësore dhe nëpërmjet amnistisë, dënimi të anulohet sa më parë, theksojnë nga kabineti i presidentit.