Për VMRO-DPMNE-në raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është tejet kritikues, ndërsa Qeveria në këtë raport sipas opozitës është elementi më i korruptuar në shtet. Stefan Andonovski theksoi se korrupsioni është shndërruar në sëmundje të pashërueshme për Qeverinë.
“Nëse analizojmë edhe raportet paraprake, është më se e qartë se qëndrimi i Departamentit Amerikan nga paralajmërues, në tre vitet e fundit u bë kritikues për punën e kësaj Qeverie dhe nga kritikë e kujdesshme dhe e matur, u shndërrua në gjykim direkt për atë që e bën Qeveria. Korrupsioni është bërë sëmundje e pashërueshme për këtë Qeveri. Raporti konstaton korrupsion serioz qeveritar, korrupsion evident në gjyqësor, gjykata joefikase, korrupsion endemik në mesin e personelit të burgut “. Në 47 faqe, Raporti 22 herë flet për korrupsion të lartë në të gjitha nivelet e pushtetit”, deklaroi Stefan Andonovski, VMRO-DPMNE.