Site icon Tetova Expres

Në Shkup sot mbahet takimi i parë i Këshillit për Stabilizim dhe Asociim BE – Maqedonia e Veriut

Në Shkup sot do të mbahet takimi i 16-të i Këshillit për Stabilizim dhe Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut me të cilin do të kryesojë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane Bojan Mariçiqi, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borell. komisari evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Oliver Varhelyi, si dhe përfaqësues të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane.

Takimet e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet vendit dhe Bashkimit Evropian deri tani janë mbajtur në Bruksel, dhe kjo është hera e parë që një takim i tillë të mbahet në Shkup, që nga ana e Maqedonisë së Veriut vlerësohet “një sinjal të shkëlqyer në vetvete”.

Sipas paralajmërimeve, në takim do të bisedohet për statusin e reformave, progresin në integrimet evropiane dhe për marrëdhëniet dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

Përveç pjesëmarrjes në takimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, është paraparë Borelli sot të takohet edhe me shefin e shtetit Stevo Pendarovskin, me ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, si dhe me nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Kuvendor për Çështjet Evropiane.

Advertisement

Borelli dhe Varhelyi në vend mbërritën dje vonë pasdite nga Tirana, ku paraprakisht gjatë ditës morën pjesë në takimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim BE-Shqipëri. Në aeroportin e Shkupit, dy përfaqësuesit e lartë të BE-së u pritën nga zëvendëskryeministri Mariçiq, i cili në një postim në Facebook ka shkruar se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen politike që e kanë nga BE-ja për të garantuar stabilitet, paqe dhe perspektiva evropiane të rajoni

Borelli para se të vijë në vend, në një intervistë për AIM, tha se Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i një shoqërie multietnike dhe se me ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë shtesë do të avancohen të drejtat themelore në vend dhe në të njëjtën kohë do të ruhen identiteti maqedonas dhe vendi do të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Anëtarësimi në BE nuk mund të jetë projekt i një partie politike, por duhet të jetë një aspiratë për të gjithë vendin. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në BE, pasi duan t’i përkasin një komuniteti vlerash dhe të kenë dobi nga kufijtë e hapur, udhëtimit të lehtësuar, tregut të brendshëm dhe standardeve të BE-së në tërësi. Shkurt, qytetarët duan paqe, prosperitet dhe një jetë më të mirë në BE, për ta dhe fëmijët e tyre. Prandaj përgjegjësi e të gjithë liderëve tuaj partiak është të punojnë dhe ta realizojnë këtë qëllim”, thotë Borelli.

Ai thekson se negociatat për anëtarësim në BE janë një proces i bazuar në merita dhe se vlerësohet progresi i arritur në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara dhe zbatimin e standardeve dhe reformave të BE-së.

Në të njëjtën kohë edhe përfaqësuesit e BE-së nga Brukseli, porositën se ndryshimet kushtetuese janë në duart e juaja dhe ky është vendim i juaj sovran, por nga ana jonë porosisim qartë dritarja e mundësive është e hapur dhe Maqedonia e Veriut ka potencial të madh të ecë përpara, duam ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE, por duhet të bëhen hapa të caktuar për të cilët do t’iu shtyjmë përpara.

Advertisement

Qëndrimin në vend, Borelli e vazhdon edhe nesër në Ohër, ku do të mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, kushtuar normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella. Në Ohër është paralajmëruar prania e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq nikoqir i të cilit do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Exit mobile version