Në Shkup janë paralajmëruar protesta dhe bllokada studentore në shenjë pakënaqësie ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Studentët paralajmërojnë këtë herë do të dalin në çdo bulevard të kryeqytetit, pra që nuk do të jetë protesta e ngjashme sikurse e formatit të kaluar në formë marshi protestues por këtë herë bllokadë që do të zgjasë me ditë të tëra. Nga MASH kanë thënë që deri në mesin e muajit mars gjitha mjetet financiare për studentët do të destinohen në llogaritë e tyre bankare. Mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë në të kundërtën studentët janë të gatshëm të dalin në rrugë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre që i kanë të garantuara edhe me ligj. Madje, lirshëm mund të thuhet se ka kaluar koha kur studentët janë shtypur dhe nuk janë marrë parasysh, tani më zëri kritik studentor triumfon dhe gjithçka që u takon studentëve do ta kërkojnë me kulm e nuk do të ndalen deri sa ta marrin, shkruan Zhurnal.
Protesta dhe bllokada në Shkup nga studentët –
Në një deklaratë të organizatës “Rezistenca Studentore”, thuhet se Ministria e Arsimit, Shkencës nuk respekton afatet ligjore dhe premtimet: është vonuar me pagesën e ushqimit të subvencionuar të studentëve, studentët që janë pranuar për bursë nuk kanë parë një qindarkë të vetme, vonohen edhe me pagesën e bursave për studentët që vazhdojnë bursën dhe nuk ka filluar as rikonstruksioni i premtuar i konvikteve studentore.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka përmbushur asgjë nga premtimi, nuk i respekton afatet e vetëvendosura, andaj paralajmërojmë protesta dhe bllokada në mbarë Shkupin. Jo si herën e kaluar me një protestë dhe një marshim, por bllokim të përditshëm të të gjitha bulevardeve të kryeqytetit”, njoftoi organizata studentore Rezistenca Studentore.
“Negociatat për ligjin e ri për ushqimin e studentëve janë duke ecur në mënyrë jo transparente dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar se si do të bëhet pagesa e shtuar prej 140 denarë në ditë. Informacioni i fundit nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës është se deri më 15 mars do të paguhen të gjitha mjetet dhe do të kryhen të gjitha llogaritë. Ne duam të besojmë se është kështu, edhe pse sipas përvojës së deritanishme nuk mund të jemi optimistë dhe të mbajmë fjalën e tyre”, thonë nga Rezistenca Studentore.
Ndërkaq, nga MASH kanë paralajmëruar nga 3 marsi që gjitha mjetet financiare do të destinohen në llogari të studentëve deri në mesin e muajit mars. Por, që tani jemi në mesin e muajit mars dhe studentët janë skeptik se diçka e tillë do të përmbushet në bazë paralajmërimit të MASH-it.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se deri në mesin e muajit mars të gjithë shfrytëzuesit e bursave të nxënësve , bursave të studentëve dhe racionit të subvencionuar për studentë do t`i marrin mjete financiare që u përkasin përfundimisht nga ky muaj”, paralajmërim i dhënë nga MASH më 3 mars.
Tani jemi në kohën e rezistencës studentore, studentët nuk durojnë dhe dinë të protestojnë –
Mungesa e një unifikimi studentor pati ndikuar që studentët me vite të kaplohen nga një pasivitet i thellë. Maqedonia e Veriut ka student e zë studentor, vetëm se për një kohë të caktuar edhe për shkak të zhvillimeve dramatike me të cilat është përballur vendi, studentët nuk mund të gjenin dot rendin e tyre për tu ngritur në këmbë dhe për të dëshmuar se studentët kanë zë. Mbase, pas një kohe të gjatë lëvizje të tilla në këtë drejtim po vërehen.
Kujtojmë që, studentët fund vitin që lamë pas kanë protestuar përballë Kuvendit, me kërkesa shumë të qarta e të nevojshme. Studentët kërkuan tërheqjen e propozim-amandamenteve të Ligjit për ushqime të subvencionuara të studentëve, sipas të cilëve bëhet ndarje e studentëve të cilët mund ta shfrytëzojnë subvencionin, dhe rritje e vaktit nga 120 në 150 denarë. Këto ishin kërkesat kryesore por nuk ishin të vetmet.
Ndërkaq, tani studentët kanë paralajmëruar edhe protesta më masive dhe në forma tjera, jo sikurse ajo e herës së fundit që ishte marsh protestues, tani ato paralajmërojnë protesta dhe bllokada nëpër Shkup, gjë që nuk zhbën rezistencën e tyre. Vetëm sa rrit edhe më shumë madje ndryshojnë edhe mjetet dhe format e shprehjes së rezistencës.
Të jesh student në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, në të njëjtën kohë përballesh me probleme të shumta arsimore për sa i përket sistemit arsimor dhe cilësisë në arsim, ndërkaq në anën tjetër përballesh edhe me probleme të ndryshme për sa i përket mbulimit të shpenzimeve që kanë kosto të lartë. Për fat të keq në këtë vend studentët nuk e kanë fatin e mundësinë që edhe të studiojnë edhe të punojnë, prandaj një pjesë e tyre pushimin veror e shfrytëzojnë për të punuar jashtë shtetit.
Por, problemet e tilla veçse trashen dhe shtohen asesi nuk mënjanohen përderisa studentët qëndrojnë duarlidhur duke qenë subjektet kryesore, prandaj zëri studentor duhet të dëgjohet, duhet të dëshmohet se studentët kanë organizim fuqi dhe potencial të ngrihen në këmbë të kërkojnë e marrin atë që e meritojnë, madje studentët po deshën mund të rrënojnë edhe pushtete. /Zhurnal.mk