Site icon Tetova Expres

Ambasadorja e SHBA në RMV: Në listën e zezë amerikane, më shumë se një shtetas maqedonas për përfshirje në korrupsion

Lufta kundër korrupsionit mbetet në fokus të politikës amerikane ndaj Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst shihet edhe vizita e paparalajmëruar në Shkup të premten e koordinatori global për luftë kundër korrupsionit pranë Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili në takimin me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kishte në qendër të vëmendjes luftës kundër korrupsionit, sipas njoftimit të Presidencës.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, në çdo nivel, duke përfshirë edhe korrupsionin e lartë, është jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjet për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe për të fituar besimin e qytetarëve në institucionet”, thuhet në komunikatën e Presidencës maqedonase, pa dhënë detaje të tjera lidhur me këtë takim.

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Aggeler, tha se qëllimi i vizitës së zyrtarit të lartë të DASH-it nuk është “lista e zezë” për të cilët flitet tani një kohë të gjatë.

“Ai nuk është këtu për të zbuluar emra për listën e zezë apo diçka të tillë. Është këtu për të diskutuar proceset, sanksionet, protokollet që ka Qeveria amerikane për çështjen e korrupsionit”, tha Aggeler.

Por, ajo pranoi se për këtë çështje po zhvillohen hetime dhe se do të ketë persona që do të gjenden në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.

Advertisement

“Janë disa lista, sipas të cilave persona të ndryshëm hetohen në kontekste të ndryshme për korrupsion. Unë qëndroj pas asaj që thashë një ditë më parë dhe besoj se është e vërtetë. Megjithatë, informacioni duhet të vijë nga Uashingtoni. Nuk mund t’ju jap asnjë afat kohor, as se sa persona do të jenë në listë”, tha ambasadorja amerikane Aggeler.

Ajo konfirmoi edhe një herë të dhënat e deklaruara se më shumë se një person nga Maqedonia e Veriut do të jenë në të ashtuquajturën, “listë të zezë të sanksioneve amerikane”.

Një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 dhjetor 2022 ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, atëbotë kishte thënë se ky ekip do të “do të ndërmarrë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si ata në të kaluarën dhe ata aktualë”.

Në prill të vitit 2022, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj shtatë personave, që u thanë se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive, ku në mesin e tyre ishin edhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.

Advertisement

Përveç Gruevskit dhe Mijalkovit, në listën e zezë u futën edhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë.

Exit mobile version