Kuvendi sot duhet të vazhdojë seancën e 104-të me debat për pikën e katërt të rendit të ditës – Propozim për emërimin e zëvendësministrave në Qeveri. Deputetët do të vazhdojnë debatin e filluar dje për zgjedhjen e zëvendësministrave të Mbrojtjes Tiron Jajaga, të Drejtësisë Viktoria Avramovska Madiq, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave Vjollca Berisha, të Shëndetësisë Maja Manoleva dhe të Arsimit dhe Shkencës Agim Nuhiu, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në cilësinë e propozuesit të zëvendës ministrave të vendit, në prezantimin e tij në fillim të seancës së djeshme, theksoi se me zgjedhjen e tyre do të kompletohet përbërja e re qeveritare.
Nuk janë të pranueshme idetë që nuk e mbrojnë qartë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe nuk është e pranueshme që çështjet bilaterale të përfshihen në negociatat shumëpalëshe me BE-në.
“Por, para nesh do të hapet një detyrim serioz – të marrim vendime të pjekura që do të sigurojnë perspektivën e vendit. Nëse për atë duhet rritje e shumicës – atëherë do të flasim me të gjithë. Qeveria është e hapur për bashkëpunim në të ardhmen me të gjithë ata që janë të gatshëm të veprojnë me ndërgjegje dhe të mbështesin reformat, politikat ekonomike dhe agjendën evropiane, në të mirë të qytetarëve dhe shtetit”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, me rindërtimin e Qeverisë do të forcohet stabiliteti politik dhe do të hapet rruga për rritjen e efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve në drejtim të realizimit pa probleme të qëllimeve kyçe strategjike.
“Por Bashkimi për Evropën dhe konsolidimi i shumicës pro-evropiane në Parlament është i domosdoshëm në emër të reformave të mëtejshme dhe të ardhmes evropiane të qytetarëve dhe shtetit. Qytetarët i kanë dhënë këtij Parlamenti një mandat të saktë për një cilësi evropiane të jetës në shtëpi dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu është formuar Qeveria pro-evropiane dhe kështu punojmë sipas kursit evropian të shtetit”, tha Kovaçevski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski e përshëndeti marrëveshjen e arritur në mes të Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) dhe Ministrisë së Arsimit në seancën parlamentare për pyetje deputetësh.
Ai theksoi se është e nevojshme që Parlamenti të jetë kritik, por jo frenues i reformave dhe të përfaqësojë standardet strategjike të vendit, jo planet strategjike për qëllime personale apo të tjera të jashtme.
Më herët gjatë ditës së djeshme, në kuadër të seancës së 104-të, me 62 vota “pro” dhe asnjë kundër apo abstenim, Kuvendi shkarkoi zëvendësministrat e Mbrojtjes Bashkim Asani, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave Abdulshyqyr Abedini dhe të Arsimit dhe Shkencës Lulzim Aliu.
Para tre javësh filloi seanca e 104-të parlamentare për rindërtimin e Qeverisë, ku ministrat e rinj në Qeverinë e Kovaçevskit Krenar Lloga për Drejtësi, Fatmir Mexhiti për Shëndetësi, Azir Aliu për Shoqëri Informative dhe Administratë dhe Kaja Shukova për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, u zgjodhën të hënën para mesnate.
Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.
Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.
Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë.