Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi deklaroi se çështja e “Korridorit 8” ishte lënë në harresë për 30 vjet me radhë qëllimisht nga autoritete të ndryshme institucionale në vend duke mos mundësuar as projektimin as ndërtimin e kësaj autostrade.
Grubi theksoi se me të ardhur në Qeveri kanë ritheksuar këtë si prioritet të programit dhe kanë vendosur kontakt me konzorciumin amerikano-turk Bektel-Enka, të cilët kanë ndërtuar Autostradën e Kombit, e cila e lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe Autostradën “Arben Xhaferi”, nga Prishtina në Han të Elezit. Grubi tha se deri në fund të shkurtit do ta kenë në duar marrëveshjen përfundimtare.
“Nënshkruam momerandum, i cili u miratua dhe në Qeveri, me ç’rast u përpilua edhe ligji dhe kaloi në Kuvendin e Maqedonisë. Ky ligj na obligoi ne si Qeveri të përzgjedhim një konsulent ndërkombëtar për negociata me konzorciumin Bektel-Enka dhe të gjitha këto procedura tashmë u kaluan. Ditën e hënë kanë filluar negociatat zyrtarisht midis Behtel-Enkës dhe konsulentit IRD me pjesëmarrjen edhe të ndërmarrjes Rrugët e Maqedonisë, presim qe brenda 3 javësh të përfundojnë këto negociata dhe të na sjellin marrëveshjen në komitetin drejtues të qeverisë dhe në qeveri për miratim pas çka bëhet fjalë vetëm për vendosjen e gurthemelit dhe nisje të punimeve”, thotë Grubi.
I pyetur për finalizimin e autostradës Shkup-Bllacë, Grubi tha se pjesa prej dy kilometrave planifikohet të përfundoj gjatë këtij viti.
“Shkup- Bllacë, sot kisha takim me ambasadorin e Kosovës. Pjesa e 2 km të parë përfundon këtë vit, për arsye se edhe shtesën prej 10 milionë eurove e siguruam. E tenderuam dhe e fitoi realizuesi i punimeve kompania ‘Granit’ e Maqedonisë dhe do ta përfundon 2 km, ndërsa 10 km shtesë i asaj autostrade, projektimi duhet të vijë më së fundmi në muajin mars dhe pastaj e shpallim tenderin por shpresoj se në verën e hershme do të nisin punimet edhe të këtij 10 kilometërshi”, u shpreh ai.
ZV. kryeminsitri i parë Artan Grubi deklaroi se në përfundim të këtij mandati do të ketë ndërtime edhe të “Korridorit 8” edhe të rrugës Shkup-Bllacë, përfundimin e Rrugës së Arbrit dhe përfundimin e rrugës Kërçovë -Ohër si dhe vendosjen e menaxhimit të përbashkët të kufijve midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përndryshe, më 2 shkurt Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore” dhe konsorciumi ndërkombëtar “IRD Engineering”, nënshkruan kontratën për konsulencën dhe mbikëqyrjen e autostradave në Korridoret 8 dhe 10, të cilat do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka” ./SHENJA/