Komuna e Tetovës humb betejën me palën e cila për vendin e nacionalizuar para rreth tre dekadash, që vlente vetëm 50 000 euro, komunës i mori 1.1 milion euro, shkruan Alsat.
Këtë sot e konfirmoi Gjykata e Apelit në Gostivar, vendimi i së cilës i jep të drejtë palës. Ndërkohë komuna me gjasë, do të humb edhe rreth 500.000 euro të tjera në emër të kamatës, kjo, shkaku i mos informimit as nga përmbaruesi e as nga Ministria e Financave për përfundimin e procesit.
Kasami këtë e konsideron si presion politik ndaj tij, me qëllim që, komuna të mos mund të realizoj projektet e parapara.
“Përfundimisht konfirmohet zhvatja e 1.1 milion euro nga qytetarët e Tetovës dhe më këtë na mbyllet edhe mundësia e fundit për përmirësimin e gabimit që ne vlerësojmë se është bërë. Tashmë mbetet edhe pjesa tjetër për të cilën nuk kemi përgjigje, a është mbyllur me 1.1 milion euro, apo do të vazhdoj zhvatja e parave të tetovarëve, e që dyshimet tona janë se mund të arrijë deri në 1.5 milion euro. Kemi bë kërkesa edhe në Ministri të Financave edhe te përmbaruesit se a është mbyllur, por deri sot s`kemi përgjigje”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Edhe përkundër këtij vendimi të Apelit, Kasami nuk heq dorë nga padia për dyshimet për krim të organizuar.
“Fatkeqësisht edhe në padinë që ne e kemi drejtuar në organet e drejtësisë që në muajin e pestë të vitit të shkuar, deri më sot, ne nuk kemi një përgjigje se pranohet apo jo kjo lëndë. Sigurisht që ne do kërkojmë edhe me një akt shtesë që të na informoj prokuroria a ka bazë për procedurë apo jo dhe deri ku ka arritur procedura e padisë tonë”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Parcela prej rreth 80 metër katror palës iu mor në vitin 1988, por për shkak të mos pajtimit me vlerësimin që i është bërë, pala ka ankimuar lëndën në gjykatë, me çka, institucionet, këtë proces e zvarritën për tre dekada.