Komisioni parlamentar shqiptar për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe Të Drejtave të Njeriut e shqyrtoi dhe miratoi propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim, mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për kthimin e ikonave të trafikuara nga territori i Maqedonisë së Veriut në territorin e Shqipërisë, informon agjencia shtetërore ATSH.
“Miratimi i këtij propozim-ligji, për bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me objekt rikthimin e 20 ikonave në vendin e tyre të origjinës, të cilat gjenden të sekuestruara në vendin tonë dhe kanë kaluar në pronësi të shtetit shqiptar në bazë të vendimeve të gjykatave shqiptare”, sqaroi Meri Kumbe, zëvendësministre e Kulturës.
Kumbe sqaroi më tej se në bazë të vlerësimit të bërë, ikonat përputhen me objektet pasuri kulturore të shtetit fqinj dhe në bazë të marrëveshjes, Ministria e Kulturës do të ndjekë të gjithë procesin për kthimin e tyre në vendin e origjinës, në zbatim edhe të detyrimeve të përcaktuara në Konventën e UNESCO-s të vitit 1970.
Në hetimin, të cilin autoritetet shqiptare e bëjnë nën emrin “Ikona”, në tetor të vitit 2013 në Shqipëri ishin konfiskuar më shumë se një mijë ikona dhe gjëra kishtare. Ishte konfirmuar se 20 prej tyre janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut prej ku ishin nxjerrë ilegalisht.