Eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski thotë se ndalimi i hyrjes në vend nuk do të ndryshojë të vërtetën se Maqedonia “ka qenë gjithmonë bullgare”. Ky reagim i Xhambaskit vjen pasi presidenti Stevo Pendarovski tha se ka kërkuar nga Qeveria që të ndalojë hyrjen në Maqedoni disa shtetasve bullgarë, përfshirë një shtetas evropian.
“Maqedonia ishte dhe është bullgare! Maqedonia e Veriut është një çështje tjetër. Merita i takon Titos për këtë. Me ndalime për hyrje në vend nuk do ta fshini të vërtetën!”, shkruan Xhambaski në postimin në rrjetet sociale.
Presidenti Stevo Pendarovski dje në seancën e Këshillit të Sigurimit u propozoi institucioneve, përkatësisht Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që ta shpallin Xhambaskin persona non-grata, që do të nënkuptonte ndalimin e hyrjes së tij në Maqedoni. Përveç tij, kreu i shtetit propozon ndalim edhe për qytetarët e tjerë bullgarë, për shkak të poshtërimit dhe mohimit të popullit maqedonas./a1on./