Maqedonia e Veriut ndodhet në një situatë jo të përshtatshme, stabiliteti i Qeverisë është lëkundur nga një numër i deputetëve të BDI-së që janë në shkëputje e sipër nga kjo parti si të pakënaqur nga ky ekzekutiv.Kur kemi një mungesë stabiliteti dhe një numër të madh të deputetëve që janë të pakënaqur, ku secili deputet që largohet nga shumica mund të rrezikojë prishjen e Qeverisë, me çka vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Nga ana tjetër, sfida më e madhe e vendit është të bëjë ndryshimet e nevojshme Kushtetuese që Maqedonia e Veriut përfundimisht të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve Kushtetuese, ndërkaq opozita shqiptare e copëzuar, Aleanca për Shqiptarët si bosht i opozitës, flitet për inkuadrim në këtë përbërje qeveritare, nga Lëvizja Besa e cila po rrezikon të mbetet si parti e vetme opozitare shqiptare janë për ndryshime Kushtetuese por vetëm nëse ndryshon edhe gjendja e gjuhës shqipe në Kushtetutë, shkruan Zhurnal.
Cila do të ishte zgjidhja e duhur, të zgjerohet shumica qeveritare apo vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Përbërja aktuale e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është votuar në Kuvend më 16 janar të vitit 2022 me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, pasi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e fitoi mandatin për përbërje të Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski. Në mungesë të 12 deputetëve, njëri prej të cilëve ishte pjesë e shumicës, Ali Ahmeti, dhe Kastriot Rexhepi, nga Lëvizja Besa që me daljen e partisë së tij nga shumica, ky vazhdoi ende. Kjo nënkupton që Qeveria aktuale përbëhet nga një shumicë prej 64 deputetësh.
Nëse flasim për zgjedhje të parakohshme parlamentare kemi të bëjmë me një kthim mbrapa për sa i përket procesit eurointegrues, me një kaos funksionimi në mesin e krizës ekonomike, me një qeveri teknike që do të jetë edhe më e dobët në menaxhimin e situatës së rënduar. Pastaj, ajo që rrezikohet më së shumti është se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme, që sipas gjitha anketave të fundit fitues potencial mund të jetë VMRO-DPMNE partia e cila do të ndërpres rrugëtimin për në BE duke mos përmbushur kriterin kryesor, futjen e pakicave bullgare në Kushtetutën e vendit.
Zgjerimi i qeverisë nuk mund të konsiderohet si zgjedhje e duhur sepse prodhon pasoja afatgjate sidomos në kampin politik shqiptarë, duke marrë në Qeveri partinë më të madhe opozitare e më kundërshtuese të këtij pushteti. Por, një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet ajo që veçse është folur në publik për sa i përket inkuadrimit të Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare. Kjo mbase mund të ndodhë nëse një grup i deputetëve të pakënaqur do të shkëputen nga kjo përbërje qeveritare.
Ndërkaq, shkuarja në zgjedhje të parakohshme vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse VMRO-DPMNE fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë.
Sa janë gjasat që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë?
Fakti që një gjë e tillë po diskutohet nënkupton se gjasat janë maksimale të ndodhë në të vërtetë. Përpos diskutimit të kësaj çështje, deri në këto momente nuk ka asnjë mohim e kundërshtim nga kjo parti për sa i përket inkuadrimit të tyre në Qeveri. Mes tjerash, kryetari i ASH-së në detyrë , Arben Taravari ka deklaruar që nuk kanë marrë ende ndonjë ofertë konkrete. Për dallim prej kreut të Alternatives, Afrim Gashi i cili pati deklaruar se bashkëpunon me djallin por jo edhe me BDI-në, pa menduar dy herë u fut në Qeveri dhe në bashkëpunim me BDI-në, nga ASH nuk kanë lënë deklarata të atilla, por mbi të gjitha kjo parti ka zhvilluar një opozitarizëm të fortë ani-qeverisë dhe anti-BDI-së.
A ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Zgjedhjet e parakohshme çdoherë janë në favor të partive politike opozitare, kjo mbase është e qartë në kampin politik maqedonas, madje kjo është edhe një ndër kërkesat e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE, që vendi duhet doemos të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por, ajo që është e pazakontë është situata politike në kampin shqiptarë, që po rrezikon politika shqiptare të mbetet vetëm me një parti opozitare, Lëvizjen Besa, ndërkaq katër partitë të tjera të jenë pjesë e së njëjtës shumicë parlamentare e partnerë koalicioni.
Megjithatë, edhe nga Lëvizja Besa kanë shprehur gatishmërinë për të qëndruar në opozitë dhe sigurisht janë të gatshëm edhe për të garuar në zgjedhje nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Ndryshe, Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së ka miratuar dy kërkesa kryesore në përgjigje të krizës politike dhe ekonomike. E para është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare jo më vonë se në pranverën e vitit 2023, siç thonë nga kjo parti, si e vetmja rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe politike, si dhe përkrahja e KQ të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në qëndrimin e mospranimit të ndryshimeve në Kushtetutë nën diktatin e Bullgarisë.
Nga ana tjetër, janë pakënaqësitë e mëdha te partia partnere në pushtet, BDI, të cilët e rrezikojnë stabilitetin e kësaj Qeverie dhe që mund të rrëzohet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Duke marrë parasysh edhe aktivizimin e partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase në takime të shpeshtuara me qytetarët nënkuptohet se zgjedhjet janë afër.
Megjithatë, partia më e madhe opozitare maqedonase po kërkon zgjedhje të parakohshme të cilat vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse kjo parti fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë. /Zhurnal.mk