Pas informatave se prokurorë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar së bashku me MPB-në, kanë kryer inspektime në Burgun e Idrizovës, nga ky institucion as nuk e konfirmojnë apo demantojnë lajmin.
Thanë shkurt për TVM se ky rast është në procedurë parahetimore dhe nuk mund të japin informata që do të kishin mundur të pengojnë hetimet. Heshtje edhe nga drejtori i burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri.
Deri më tani për të nuk kërkohet përgjegjësi. Siç potencoi kryeministri Kovaçevski, ai këtë funksion e ushtron për një kohë relativisht të shkurtë dhe postin e ka marrë në konsultime me institucionet ndërkombëtare. Pas lëshimeve të konstatuara po kërkohen edhe personat e involvuar që i kanë ndihmuar Memetit të arratiset nga burgu. Për të arratisurin Bekim Memeti të dënuar me njëzet vjet burgim, policia shpalli fletarrest ndërkombëtar.
Më 12 janar në mesnatë për shkak të lëndimit të dorës të shkaktuar nga vet ai, Memetit iu lejua të shkojë në spital, e gjatë rrugës u arratis. Inspektimi i jashtëzakonshëm i drejtorisë për zbatimin e sanksioneve konstatoi lëshime tek komandanti dhe tre policë për të cilët ekziston dyshimi se si persona zyrtarë me paramendim i kanë ndihmuar të burgosurit Memeti të arratiset.
Gjykata iu caktoi masë paraburgim prej tetë ditësh, ndërsa të dyshuarit të katërt i është shqiptuar ndalesë për lëshimin e shtëpisë dhe përkohësisht i është marrë pasaporta. Qeveria shkarkoi edhe drejtorin e drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Marjan Spasovski, por ende nuk dihet se kush do të emërohet në vend të tij.