Aleanca për Shqiptarët i është përgjigjur VMRO-DPMNE lidhur me debatet për hyrjen e mundshme të ASH-së në Qeveri.
VMRO-DPMNE pyeti dje ASH-në kush është faktori ndërkombëtar dhe të thuhet që po kërkon që partia opozitare shqiptare ti bashkohet pushtetit aktual, pasi që një gjë të tillë e theksoi dy ditë më parë kreu i saj, Arben Taravari.
Nga ASH thonë se partnerët strategjik të Maqedonisë së Veriut, ata që kanë përkrahur në vazhdimësi rrugëtimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së presin nga faktori politik realizimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Neve na vjen keq që VMRO-DPMNE ka harruar historinë e saj të afërt dhe nuk ka nxjerrë mësime nga gabimet e veta. Kalkulimet elektorale në çështje strategjike janë papjekuri politike për një parti që pretendon se është shtetndërtuese. Pyesim VMRO-DPMNE, cilat janë ato forca ose shtete që u kërkojnë atyre të kundërtën e kësaj dhe zbatimin e skenareve që shpien shtetit dhe rajonin në një rrugë të rrezikshme?”, theksuan nga ASH, duke shtuar se çdo skenar tjetër çon në izolim vendin.