Antikorrupsioni ka vendosur që të dorëzojë nismë në Qeveri për konstatimin e përgjegjësisë së Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, lidhur me vendimin jo në kohë të miratuar për ndalesën e kryerjes së kontrollit teknik të subjektit juridik “Via Komerc”, ku pas konstatimit të parregullsive, kontroll Teknik i është bërë edhe transportuesit “Besa Trans”, në autobusin e të cilit në aksidentin tragjik në Bullgari humbën jetën 45 qytetarë të RMV-së dhe shtatë ishin lënduar.
Antikorrupsioni ka konstatuar se Ministri nuk ka vepruar në mënyrë të rregullt, për shkak se pas raportit të Inspektoratit që ka bërë kontrollin, ai nuk ka dhënë urdhër që në afat të paraparë të eliminohen parregullsitë, por të njëjtën e ka dhënë tre muaj pas marrjes së raportit, respektivisht tre ditë pas aksidentit në Bullgari.
Antikorrupsioni ka debatuar edhe për xhirimet e zgjedhjeve lokale ku shihen Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe Ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini duke shfrytëzuar veturat zyrtare për qëllime partiake.
Të pyetur se çfarë do të bëhet me këtë rast, nga Antikorrupsioni janë përgjigjur se detyra e tyre është që materialin ta dërgojnë në Kabinetin e Zv. kryeministrit për sundim të mirë dhe ata të marrin vendimin./KlanM/