Javën e kaluar, Inspektprati i Tregut gjobiti 56 objekte hotelerike dhe kazino që pinin duhan. Siç thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, nga data 10 deri më 14 janar janë kryer mbi 200 kontrolle në tërë territorin e vendit në përputhje me kompetencat që kanë nga Ligji për mbrojtjen nga duhani, transmeton Portalb.mk.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi, gjegjësisht mos respektim të nenit 2 dhe nenit 3 të Ligjit për mbrojtjen nga duhani, për të cilat janë lëshuar 56 urdhërpagesa për kundërvajtje. Sipas ligjit, gjoba për personin juridik është nga 2.000 deri në 4.500 euro, për personin përgjegjës nga 500 deri në 1.000 euro, ndërsa personi fizik që do të kapet duke pirë duhan në objekt të mbyllur do të gjobitet me 100 deri në 300 euro, të gjitha në kundërvlerë të denarit.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut vepron sipas mbi 80 ligjeve dhe akteve nënligjore dhe vendimeve të Qeverisë, përfshirë Ligjin për brojtjen nga duhani. Për shkak të rritjes së ankesave nga qytetarët për pirjen e duhanit në ambiente publike, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vazhdojë me kontrollet intensive ndaj subjekteve për të kontrolluar respektimin e dispozitave ligjore. Kujtojmë se gjobat janë të larta dhe për këtë arsye apelojmë dhe njoftojmë personat juridikë mbi të cilët kryhet kontrolli të respektojnë ligjin dhe nëse qytetarët vërejnë shkelje të këtij ligji, të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore duke paraqitur në Inspektoratin Shtetëror të Tregut”, thotë drejtori i Inspektoratit, Goraj Trajkovski.
Pas ardhjes në pushtet të LSDM-së, në vitin 2018 ndryshoi Ligjin për mbrojtjen nga duhani, me çka lejohej pirja e duhanit në terasa plotësisht të mbyllura. Që atëherë, askush nuk e respekton Ligjin dhe duhanpirja është kudo. Pirja e duhanit bëhet jo vetëm në terracat e kafeneve, të cilat janë ndërtesa të tëra, jo tarraca, por edhe në ambiente të mbyllura kafenesh, restorantesh, në diskoteka, pika bastesh, kazino, madje edhe në institucionet publike, përfshirë spitalet. Askush nuk dënon dhe nuk mban llogari a respektohet Ligji i thjeshtuar për Mbrojtjen nga Duhani.
Me ligjin origjinal, të miratuar nga qeveria e VMRO-DPMNE-së në kohën kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski, nuk lejohej që tarracat të mbylleshin plotësisht, pra me xham, por duhej të hapeshin nga njëra anë. Por pas miratimit të ndryshimeve në ligj, të gjitha kafenetë dhe lokalet u shndërruan në terraca, të cilat nuk duken si të tilla, por si struktura të tëra me ndërtim të fortë. Hapet vetëm çatia dhe në këtë mënyrë objektet ajrosen herë pas here. Asnjë hoteler nuk ka investuar në vendosjen e ventilimit të duhur.