Rruga “Boris Kidriç” në Tetovë për një kohë të gjatë nuk është rikonstruar. Bëhet fjalë për rrugën nga ish Shtëpia e Armatës e deri tek Qendra Sportive. Kjo rrugë, ndonëse ka shumë hapësirë për t’u shndërruar në një bulevard sikurse bulevardi Iliria, megjithatë është lënë nën mëshirë të fatit. Kjo rrugë, sipas ekspertëve, ka gjerësinë e nevojshme të shndërrohet në bulevard dhe do të ndihmonte shumë në shkarkimin e komunikacionit nëpër rrugët tjera. Së fundi, Komuna e Tetovës ka në plan që të bëjë rikonstruimin e kësaj rruge dhe tashmë janë ndarë mjetet e nevojshme. Në këtë rrugë, një kohë të gjatë edhe ndriçimi publik është dëmtuar dhe pritet që të merr pamje të mirë, por edhe më shumë hapësira për këmbësorët.
“Mjetet për rrugën ‘Borsi Kidriç’, respektivisht nga ish Shtëpia e Armatës e deri tek Qendra Sportive dhe Stacioni i autobusëve do të fillojë të rikonstruohet këtë vit. Kostoja e kësaj rruge është 12 milionë denarë dhe me këtë mendojmë të bëjmë rikonstruimin komplet të rrugës, duke përfshirë trotuaret, ndriçimin dhe pjesën që ka të bëjë me rrjetin e dëmtuar të ujësjellësit”, tha Memet Jonuzi nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës. Ndryshe, shtatë projekte kapitale në infrastrukturën e Komunës së Tetovës janë paraparë për këtë vit. Dy projekte prej tyre janë komplet të reja. Për Programën zhvillimore të Komunës së Tetovës që është miratuar në fund të dhjetorit, janë ndarë 2 milionë e 400 mijë euro. (U.H/TV KOHA )