Site icon Tetova Expres

A po acarohen sërish raportet Maqedoni e Veriut – Bullgari?

Marrëdhëniet Shkup – Sofje janë vendimtare për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndaj këtyre marrëdhënieve është e varur edhe Shqipëria si shtet fqinjë i RMV-së, që janë tu futura në bllok shtete që po vazhdojnë rrugëtimin drejt BE-së. Pas arritjes së një marrëveshjeje e cila ishte e pranueshme për dyja shtete me ndihmën e propozimit francez, Bullgaria hoqi bllokadën e vendosur ndër vite që pengonte integrimin e Maqedonisë së Veriut. Por, tani një politikan bullgar, Angel Xhambaski, nga Shkupi në një manifestim ka dhënë deklarata që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria një shtet e dy kombe, dhe ka bërë thirrje për ndaljen e gjenocidit të bullgarëve, sipas tij. Këto deklarata kanë ngjallë shqetësime dhe reagime të shumta. A është koha që Maqedonia e Veriut të kthehet në pikën zero si pasojë e prishjes së raporteve me Bullgarinë?, shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndodhë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u kërkoi të dielën autoriteteve të Bullgarisë që të distancohen nga deklaratat e “figurave politike margjinale” që morën pjesë në një manifestim të shtunën në Shkup, ku “provokuan ndjenjat kombëtare e shtetërore të popullit maqedonas”.

Angel Xhambaski, eurodeputet bullgar dhe drejtues i partisë bullgare VMRO BND (Lëvizja Popullore Bullgare) në një manifestim kushtuar 95-vjetorit të vdekjes së Mara Bunevas – një grua revolucionare bullgare, e cila, sipas politikanëve në Sofjes, ka luftuar për “çlirimin dhe bashkimin e tokave bullgare” – ka provokuar me disa mbishkrime si “Një shtet! Dy kombe”, “Maqedonia, Thrakia”, “Stop gjenocidit ndaj bullgarëve” e tjera.

“Këtu në Kalanë e Vardarit, jemi mbledhur për të nderuar bullgaren e madhe Mara Buneva dhe për t’i mbështetur vëllezërit bullgarë në Maqedoni. Le t’ua bëjmë të qartë politikanëve serbomëdhenj në pushtet se nuk do t’i lëmë të vazhdojnë politikën e gjenocidit ndaj bullgarëve të urdhëruar nga Kominterni dhe të kryer nga Maqedonia që nga 7 janari 1945. Nuk do të lejojmë vazhdimin e shkombëtarizimit të bullgarëve”, tha Xhambaski.

Advertisement

E ndaj këtyre deklaratave nuk kanë qëndruar të heshtur institucionet përgjegjëse, dhe me reagim të menjëhershëm kanë dalë nga MPJ, të cilët i kanë cilësuar këto deklarata si “provokim i rëndë” që rrënojnë përpjekjet për përmirësimin e raporteve mes dy shteteve.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shumë vëmendje deklaratat e disa figurave politike margjinale nga Bullgaria, provokimet e të cilëve vazhdojnë, pa marrë parasysh përpjekjet e dy vendeve për të ruajtur bashkëpunimin konstruktiv dhe frymën pozitive në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve. Kërkojmë nga Sofja të distancohet nga “figurat e margjinalizuara politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së në Shkup.

Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe deputeti bullgar dhe lideri i partisë “Rimëkëmbja”, Kostadin Kostadinov, për të cilin kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se “nuk është i mirëseardhur në Maqedoninë e Veriut për shkak të provokimeve të shumta dhe deklaratave irredentiste për shtetin dhe popullin maqedonas”.

VMRO DPMNE-ja, partia opozitare maqedonase, dënoi fjalimet e zyrtarëve bullgarë duke i quajtur “negative dhe asimiluese”. Në reagimin e partisë thuhet se “deklaratat e tilla që mohojnë Maqedoninë janë pasojë e politikave tradhtare të Lidhjes Social-Demokrate dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski”.

Zhvillimet e fundit vijnë gati tre muaj pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Advertisement

Negociatat janë hapur por nuk kanë filluar, varen nga ndryshimet Kushtetuese-

Përveç ndryshimit kushtetues, propozimi francez bën pjesë të kornizës së negociatave me BE marrëveshjet bilaterale të RMV me Greqinë dhe Bullgarinë. Në pikën 5 të Kornizave Negociuese që shoqërojnë propozimin francez përfshihet parashikimi se përparimi i negociatave do të përcaktohet nga progresi i RMV në përgatitjen për anëtarësim. Ky progres do të matet specifikisht, ndër të tjera, me “përkushtimin ei Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, duke përfshirë edhe arritjen e rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale me vullnet të mirë, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e vitit 2017 për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë .”

Zyrtarisht, Bashkimi Evropian shpalli hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 Korrik 2022. Kjo erdhi 17 vite pasi Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat, dhe 13 vite pas rekomandimit fillestar të Komisionit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me RMV. Në fjalimin e saj të 19 Korrikut, von der Leyen foli për “durimin strategjik, me bollëk” të treguar nga dy shtetet. Por edhe sa durim strategjik do t’u duhet të vazhdojnë të tregojë Republika e Maqedonisë së Veriut?

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut, aktualisht ndodhet në procesin e shqyrtimit të ligjeve të Bashkimit Europian, në të cilin një vend familiarizohet me legjislacionin e BE dhe detyrimet që ato nënkuptojnë, ndërsa, në të njejtën kohë Komisioni Europian ekzaminon nivelin e përgatitjes së tij. Ky proces është hapi i parë në procesin më të gjatë të negociatave të anëtarësimit.

Prandaj, tani në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet fqinjësore me Bullgarinë që kanë qenë edhe pengesa kryesore ndër vite që bllokonte Maqedoninë e Veriut drejtë anëtarësimit në BE. Tani kur kjo bllokadë është hequr, dhe RMV është kushtëzuar për të bërë ndryshimet Kushtetuese që pakicat bullgare të futen si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit, kjo sipas propozimit francez që kanë pranuar dyja shtet. Dhe, tani prishja e marrëdhënieve prish punën e arritur deri më tani. /Zhurnal.mk

Advertisement
Exit mobile version