Ushtruesi i detyrës, ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Milkov, mbrëmë ka theksuar se hapja e konsullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut “është një çështje e ndërlikuar dhe politike”.
Deklarata e tij është dhënë në përgjigje të një pyetjeje të një deputeti në një seancë të Komisionit kuvendor për politikë të jashtme në Kuvendin e Bullgarisë.
“Është një çështje e ndërlikuar dhe politike. Duhet të flisni me autoritetet atje. Nuk kemi ndërmend të marrim një vendim të tillë. Qeveria e rregullt le ta bëjë një hap të tillë”, thekson Milkov.
Lidhur me konsullin e përgjithshëm në Manastir, ministri Millkov sqaroi se mandati i tij përfundon më 15 janar.
“Në vend të tij do të ketë një zëvendësues të përkohshëm, sepse pala maqedonase në këtë fazë nuk ka lëshuar ekzekuatur për konsullin tonë të ri të përgjithshëm, i cili ka kohë që ka vendosur të largohet. Ajo punë është bërë me muaj të tërë”, sqaroi Milkov.