Site icon Tetova Expres

Daravellski kaloi natën në burg, sipas dënimit aty duhet të qëndroj 7 vjet

Ish drejtori i Doganës, Dragan Daravellski i arrestuar ditë më parë nga policia kufitare në “Tabanoc” do të vuaj dënimin me burg prej 7 viteve. Lënda e tij do të vjetërsohet në mars të vitit 2028.

“Në bazë të njoftimit nga Gjykata Themelore në Kumanovë vjetërsimi absolut i dënimit të ekzekutuar hyn në fuqi më 26.03.2028. Vjetërsimin e konstaton gjykata”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Avokati i tij mbrojtës ka bërë kërkesë për rigjykim. Në arsyet e potencuara theksohet dënimi i tij në mungesë.

“Avokati i tij mbrojtës ka dorëzuar kërkesë për rigjykim për faktin se ai është dënuar në mungesë. Është formuar lëndë e cila i është ndarë këshillit penal për procedim të mëtejmë. Këshilli si fillim do t’i kërkon të dhënat nga institucioni ku ai po vuan dënimin, ndërsa më pas lënda do të dërgohet për mendim në Prokurorinë Themelore Publike. Pas kompletimit të dokumentacionit, këshilli penal do të sjell vendim”, njoftojnë nga Gjykata Penale Shkup.

Daravellski u arrestua mbi bazën e flet arrestit ndërkombëtare për masë efektive me burg i dënuar në mungesë në vitin 2007 duke u shpallur fajtor për “shpërdorim me detyrën zyrtare”, përkatësisht keqpërdorimin e 2.5 milion eurove. Gjykata kishte urdhëruar edhe konfiskimin e pasurisë deri në vlerë të dëmit buxhetor. Në vitin 2010 kishte nisur procedura e detektimit dhe konfiskimit të pasurisë së tij. Ndër pasuritë e para që u evidentuan nga autoritetet për menaxhimin e pronave të konfiskuara ishin një banesë luksoze në Shkup dhe një dyqan në Kumanovë. Autoritetet kishin hetuar dhe zbuluar edhe disa prona në emër të personave të tjerë, por që ndërlidheshin drejtpërdrejtë me Daravellskin duke bërë që në Vodno të Shkupit, t’i konfiskohet edhe një vilë vlera të cilës arrinte 1.4 milion euro.

Advertisement

Meqenëse sasia e konfiskimeve nuk mbulonte vlerën e dëmit në buxhet, Qeveria kishte vendosur t’i konfiskonte edhe aksionet në vlerë prej 2 milion euro në kompaninë e tij “Skotiha”. Më pas i ishin konfiskuar aksione me vlerës rreth 700 mijë euro nga kompania “Jugooprema”, ish fabrika e tullave në Kumanovë “KIK” dhe tri kompani të tjera “Kozjak”, “Tërgotekstil” dhe ZIK “Skaçkovce” në Kumanovë. Vlera e madhe e aksioneve ishte konfiskuar nga dy banka ku Daravellski posedonte aksione, IK Banka ku gëzonte 2.5 për qind të aksioneve dhe STATER Banka nga Kumanova.

Në vitin 2004 kishte kërkesë për ekstradimin e tij, por ai kishte arritur të arratiset nga burgu hetues ku ndodhej në Serbi. Një kërkesë ekstradimi u bë edhe në vitin 2013 të cilën autoritetet serbe filluan ta ekzekutojnë në vitin 2016, por pak minuta para dorëzimit të Daravellskit, policia serbe kishte mësuar se ai posedon shtetësi serbe dhe nuk u transferua në Shkup.

Më 10 janar të këtij viti ai derisa po udhëtonte nga Serbia për në Maqedoni me një makinë me targa të Kumanovës dhe bashkërisht me familjarët e tij, u detektuar nga policia kufitare si njeri me flet arrest aktiv dhe që duhet t’i nënshtrohet dënimit me burg. Daravellski ndodhet në burgun e “Idrizovës”. \Alsat

Exit mobile version