Liderët e partive politike të shqiptarëve në vend sot pritet të shkojnë në një takim në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi dje se takimi i sotëm në Tiranë është një takim i Vitit të Ri me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për çështjet aktuale në rajon dhe duke uruar suksese në vitin në vazhdim dhe apeloi që të mos krijohet “një lloj konspiracioni” në lidhje me të.
Sipas Osmanit, për takimin nuk ka agjendë të caktuar prej më herët, që do të diskutohet dhe do të jetë një mundësi për të komunikuar dhe shkëmbyer ide, informacione dhe pikëpamje në të mirë të rajonit, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Mund të them se kryeministri i Shqipërisë është një mik i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ai e dëshmoi veçanërisht gjatë këtyre viteve dhe muajve të negociatave me Republikën e Bullgarisë, kur fjalë për fjalë ndonjëherë në kurriz të interesave të Shqipërisë, i ka shprehur qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në atë pjesë. Realisht nuk mendoj se duhet të krijohet ndonjë konspiracion lidhur me këto takime”, tha Osmani.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli dje deklaroi se partia e tij ka marrë ftesë për takimin e njerëzve të parë të partive shqiptare në vend me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por tha se ata nuk do të marrin pjesë në të. Ai vlerësoi se ky takim është në dobi të BDI-së dhe se gjithmonë kur kjo parti ka probleme të brendshme mbahen takime të tilla në Tiranë.
“Kemi ftesë nga kryeministri i Shqipërisë për takimin e nesërm. Kryesia qendrore vendosi që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, por si parti politike Lëvizja Besa nuk jemi gati të ulemi në të njëjtën tryezë me BDI-në. BDI-së në këtë moment i duhet një takim në Tiranë. Nuk shohim që dikush tjetër ka nevojë për një takim të tillë. BDI ka interes për një takim të tillë siç e ka keqpërdorur në vitin 2017 për qëllimet e veta. Sa herë që kanë problemet e tyre të brendshme me kundërshtarët e tyre të brendshëm, (BDI) kërkojnë ndihmë nga rajoni. Ne nuk shohim se duhet t’u vijmë në ndihmë tani”, tha Zendeli.
Ai potencoi se kur partitë politike të shqiptarëve kanë kërkuar të ulen në tryezë që të dakordohen disa çështje, lideri i BDI-së nuk ka qenë i gatshëm të ulen në tryezë dhe të dakordohen për disa çështje, lideri i BDI-së asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të flasë me ta, ndërsa edhe në disa media i ka ofenduar ata.
“Nëse jemi të poshtër, atëherë nuk shohim arsye të ulemi me të në të njëjtën tavolinë kur ai ka nevojë”, tha deputeti i Besës, duke shtuar se do të kenë takim me kryeministrin e Shqipërisë, por jo kur është vetëm në interes të BDI-së.
Nga Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar për MIA-në se kanë marrë ftesë për takimin dhe se do të marrin pjesë në të, pa saktësuar hollësira.
“Ashtu siç u jemi përgjigjur pozitivisht të gjitha ftesave për takime dhe në këtë rast konfirmojmë ftesën, si dhe prezencën tonë në darkën e organizuar nga kryeministri Edi Rama”, thanë për MIA-n nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Alternativa konfirmuan se në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë Afrim Gashi, por nuk dihet se për çfarë do të diskutohet.
Rama organizoi një takim në të njëjtin format me Ali Ahmetin, Zijadin Selën dhe Bilal Kasamin më 29 dhjetor 2016 në Tiranë, i cili rezultoi me një Deklaratë të përbashkët të partive politike shqiptare për ruajtjen e interesave të shqiptarëve. Ai parashikonte barazi të plotë gjuhësore, duke përfshirë statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, zhvillim të barabartë rajonal, komisione ndërkombëtare për spastrimin e plotë të rasteve të montuara gjyqësore, si dhe debat gjithëpërfshirës për flamurin kombëtar, himnin, dhe stemën në një mënyrë që simbolet shtetërore të pasqyrojnë multietnicitetin social dhe barazinë. Liderët nënshkrues të Deklaratës u zotuan gjithashtu se do të vazhdojnë punën për përmbushjen e këtyre angazhimeve.
Takimi i fundit i palëve nënshkruese të Deklaratës së përbashkët është mbajtur në korrik të vitit 2017. Pas kësaj, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konvokoi edhe një mbledhje, por ajo u bojkotua nga liderët e tjerë për shkak të deklaratës së tij publike se “nuk ulet me të poshtër”. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, bëri një tjetër përpjekje për t’u ulur së bashku liderët e partive shqiptare më 7 nëntor të vitit të kaluar për të diskutuar ndryshimet në amendamentin 5 të Kushtetutës, i cili do të ndryshonte formulimin “gjuha e folur nga 20 për qind të qytetarëve” me “gjuhë shqipe”, por tentativa e tij përfundoi pa sukses.zhurnal.