Site icon Tetova Expres

Ndryshimi i modelit zgjedhor është në favor të votuesve dhe rrit cilësinë në përfaqësim!

Ndryshimet në modelin zgjedhor nuk janë vetëm dëshirë por janë nevojë e domosdoshme që të kenë kuptim zgjedhjet dhe vota e lirë demokratike, mos të votohet partia të votohet individi. Vetëm nëpërmjet ndryshimeve të tilla do të arrihet cilësi në përfaqësim dhe pastaj këta përfaqësues do të përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të denjë. 37 deputetë nga 120 në përbërjen aktuale parlamentare vijnë nga partitë më të vogla dhe shumica prej tyre janë pjesë e koalicioneve me LSDM dhe VMRO-DPMNE. A është e mundur ndryshimi i përbërjes parlamentare në kurriz të partive më të vogla dhe thyerja e botës politike bardh e zi në vend, sipas ekspertëve, varet nga ndryshimi i modelit zgjedhor dhe vendosja e një sistemi që do t’u mundësojë qytetarëve të dinë se vota e tyre është e vlefshme, por edhe për atë që partitë do të ofrojnë. Por, një gjë është e sigurt se ky model zgjedhor i mundëson kryetarit të partisë të bëjë cilin do deputet, ndërkaq ndryshimi i modelit përkufizon individin dhe ka kriter cilësinë sepse sovrani vendos përmes votës së lirë se nga kush dëshiron të përfaqësohet, shkruan Zhurnal.

Gjendja e partive politike në Kuvend-

Ndryshimi i modelit zgjedhor prej kohësh është përkrahur nga partitë më të vogla pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa partitë e mëdha, sipas procedurave të deritanishme, vetëm në mënyrë deklarative janë dakord me këtë kërkesë. Aq më tepër që grupi punues për kodin e ri zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk mund të mblidhet për shkak se nuk ka deleguar përfaqësues nga opozita VMRO-DPMNE. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se disa herë kanë kërkuar nga VMRO-DPMNE që të delegojë personat që do të jenë pjesë e grupit punues për të filluar punën, por nga aty nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Para festave të Vitit të Ri, ka pasur ndryshime partiake në disa nga partitë më të vogla parlamentare, të cilat shpresojnë të fitojnë më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca e Shqiptarëve, e cila ka tetë deputetë në Kuvend, zgjodhi për kryetar Arben Taravarin, i cili është edhe kryetar i Komunës së Gostivarit, për këtë të fundit thuhet se ka negociuar për tu futur në Qeveri, por nga e njëjta parti hedhin poshtë këto zëra duke kundërshtuar një veprim të tillë.

Alternativa e Afrim Gashit ka katër deputetë dhe është pjesë e Qeverisë, por edhe në vazhdën e ndryshimeve kushtetuese ka intensifikuar retorikën dhe kërkon ndryshimin e formulimit për përdorimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. VMRO-NP ka një deputet dhe është pjesë e koalicionit të LSDM-së, i cili ka 30 deputetë të vet.

Advertisement

Lëvizja Besa ka 2 deputetë dhe kryetari i saj, i cili është kryetar i Komunës së Tetovës, e ka kushtëzuar mbështetjen për amendamentet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë me zgjedhje të parakohshme.

GROM ka një deputet, i cili punon me VMRO-DPMNE-në në Kuvend dhe është mjaft aktiv, sidomos pas skandalit me Olesandar Onishchenkon, për dhënien e pasaportës edhe pse personi në fjalë ishte i futur në listë të zezë nga SHBA-të dhe ishte i arratisur nga Ukraina, ky deputet i kësaj partie ishte kryetar i komisionit amë.

RDM ka një deputete, Maja Moraçanin, e cila përfaqëson agjendën e gjelbër dhe disa nga propozimet e tyre janë pranuar në kuadër të përballjes me krizën energjetike. Moraçanin u rizgjodh si kryetar i partisë. Lidhja Demokratike dhe deputeti Pavle Trajanov është pjesë e mazhorancës qeverisëse, por ai beson se për të dalë nga kriza nevojiten zgjedhje dhe koalicion të gjerë.

E majta ka dy deputetë që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe është partia që sipas sondazhit të fundit të IRI-së ka shanset më të mëdha për të fituar një numër më të madh mandatesh në zgjedhjet e ardhshme, përshkak të diskursit nacionalist dhe anti-shqiptarë që po e përdor në çdo temë, dhe kjo ka ndikuar dukshëm që të rritet simpatia për këtë parti në kampin maqedonas. PDSH ka një deputet, kryetarin e saj Menduh Thaçi, i cili është në krah të qeverisë. DPS është në koalicion me VMRO-DPMNE, si dhe Partia Demokratike e Turqve. PLD me dy deputetë është pjesë e koalicionit me LSDM-në, por ndryshime ka pasur edhe në mesin e tyre. Kryetare u zgjodh deputetja Monika Zajkova, ndërsa në skenën politike si ministër i Vetëqeverisjes Lokale u rikthye ish-kryetari i partisë dhe ish-kryetari i Shkupit, Risto Penov. Zajkova filloi të bëjë ndryshime në parti.

PRSD ka dy deputetë, ndër ta është edhe Goran Misovski, nënkryetar i Kuvendit, një nga deputetët më aktivë me mandat më të gjatë dhe kryetar aktual i partisë. Partia për Lëvizjen e Turqve ka një deputet, si dhe Partia e Pensionistëve që janë pjesë e koalicionit me LSDM-në. SPM ka dy deputetë dhe tradicionalisht është pjesë e koalicionit VMRO-DPMNE. Partia Serbe është një nga partitë më të vogla me një deputet. Zekir Ramçiloviq dhe Sanela Shkrielj janë renditur si deputetë të pavarur që veprojnë si pjesë e koalicionit me LSDM-në në faqen e parlamentit.

Advertisement

Ndryshimi modelit zgjedhor nevojë e domosdoshme-

VMRO-DPMNE ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, 38, LSDM 30, ndërsa BDI 15. Sipas modelit aktual zgjedhor, partitë më të vogla para zgjedhjeve bëjnë koalicion me partitë e mëdha dhe kanë të ashtuquajturat duke vende të rezervuara në listat e zakonshme. Pra kanë më shumë deputetë se vota të fituara. Janë të nevojshme reforma në rregulloren zgjedhore dhe një sistem që do t’u mundësojë qytetarëve të dinë se vota e tyre është e vlefshme.

Megjithatë, duke marrë parasysh gjendjen e partive politike aktive në Kuvendin e vendit, kuptojmë që një ndryshim në modelin zgjedhor është mëse i nevojshëm, gjë që ndikon qartazi në rritjen e cilësisë së deputetëve. Dhe, me ndryshimet e atilla do të ulet doza e lavdeve kushtuar liderëve të partisë, sepse pastaj nuk të bënë lideri deputet por të bën populli me voton demokratike. Në situatën që jemi, mbase janë të palogjikshme por të pritshme falënderimet e liderëve partiak sepse ata vendosin kush prej personave do të jenë në listat për deputet, dhe kush çfarë numri rendor do të ketë.

Kjo i bie që me modelin aktual kryetari i partisë apo partia të bënë deputet por jo edhe cilësia, dhe në momentin që pozita ofrohet pa qenë kriter cilësia rezultatet janë të ditshme e të pritshme. Mbase, kjo nuk është në favor të disa partive politike që kanë persona të inkriminuar por një gjë është e sigurt që modeli zgjedhor që do të ndryshojë do të jetë në favor të votuesve atyre që e bartin sovranitetin e tyre te përfaqësuesit në Kuvend. /Zhurnal.mk

Advertisement
Exit mobile version