Në tregun e patundshmërive në vitin e ri, sipas komunitetit të biznesit, mund të presim stabilizim.
Megjithatë, për çdo rast, stabilizimi i çmimeve të patundshmërive, sipas Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut nënkupton stabilizim të nivelit aktual më të lartë, me ç’rast çmimi do t’i përfshijë harxhimet për realizim, fitimin e kompanive dhe fuqinë financiare, respektivisht gatishmërinë e blerësve.
Analizat që i përgatisin dhe analizat në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregojnë se çdokund çmimet e banesave janë rritur, e posaçërisht kjo është shprehur në kryeqytete dhe në vende më të banuara. Stabilizimi mund të pritet në një nivel më të lartë, i cili sipas vlerësimeve tona, do të thoshte çmim për një metër katror, i cili është të paktën 20 për qind (gjithsesi varet edhe nga vendi i patundshmërisë) më i lartë se çmimi para krizës, thonë për MIA-n nga Oda ekonomike.
Kyçe për çmimet për të cilat do të ofrohen patundshmëritë gjatë periudhës së ardhshme, siç saktësojnë, do të jenë rrethanat në nivel global dhe kombëtar, varësisht nga ajo se sa do të zgjat konflikti ushtarak, i cili shprehet në tregun e materialeve ndërtimore, si dhe zgjidhja e të gjitha problemeve dhe çështjeve, për të cilat sektori ndërtimor bën me dije që nga fillimi i krizës.
Nga Oda ndërtimore pranë Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, megjithatë, thonë se harxhimet për ndërtim do të shtrenjtohen edhe gjatë periudhës së ardhshme, e me këtë edhe banesat.
“Rritja e çmimeve në një pjesë të madhe të produkteve ndërtimore nuk ndalet. Fuqia e kualifikuar puntore në mënyrë të vazhdueshme zvogëlohet, bankat janë më të rezervuara në përkrahjen e projekteve, ndërsa e rrisin edhe interesin. Kjo do të thotë se ende do të rriten harxhimet në tërë këtë proces të ndërtimit, e kjo do të thotë se do të ketë edhe shtrenjtim të produkteve ndërtimore, respektivisht banesave”, thonë nga Oda.
Prej aty apelojnë që gjatë periudhës së ardhshme të hapen sa më shumë investime të reja me kushte më të mira për kreditim dhe sa më pak pengesa administrative për investuesit.
Sipas të dhënave të Bankës popullore, çmimet e patundshmërive në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, në shtet janë rritur për 21,2 për qind, në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Në periudhën korrik-shtator të vitit të kaluar, krahasuar me tre muajt paraprake, rritja e çmimeve të patundshmërive ka qenë 4,7 për qind, në tremujorin e dytë të vitit të kaluar çmimet e banesave kanë shënuar rritje prej 16,5 për qind në nivel vjetor, respektivisht 6,8 për qind në nivel tremujor, ndërsa në tremujorin e parë poashtu ka pasur rritje në nivel vjetor prej 12,4 për qind, respektivisht prej 2,9 për qind në nivel tremujor.
Në evidencën e Bankës popullore, në nëntor janë regjistruar kredi banesore në vlerë prej 75,021 milion denarë, që është rritje prej 12,9 për qind në nivel vjetor, respektivisht 1,1 për qind në nivel mujor.
Në bazë të regjistrit të çmimeve dhe qirave në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, janë regjistruar 7.922 transaksione, prej të cilave 6.098 shitje të patundshmërive dhe 1.824 marrje me qira të pronës së patundshme.
Vlera e 6.098 shitblerjeve të regjistruara në tremujorin e tretë është 1.929 milionë euro. Shënohet rritje edhe në shitblerjet dhe vlerën e tyre në krahasim me tremujorin e dytë, kur janë regjistruar 5.713 (234 milionë euro). Por krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak shitblerjet janë zvogëluar për 1.179, kur janë evidentuar 7.277, ndërsa zvogëlim në këtë periudhë ka edhe te marrjet me qira, për 130. Marrjet me qira në nivel tremujor të vitit të kaluar shënojnë rënie për rreth 1.000, prej 1.935 në tremujorin e dytë në 1.824 në tremujorin e tretë. Në atë periudhë më së shumti janë marrë me qira parcela shtetërore, 693, pas çka vijojnë banesat, 595, shtëpitë, 288, toka bujqësore, 141…
Rënie tek marrjet me qira është evidentuar edhe sipas të dhënave për gjysmën e parë të vitit të kaluar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe është 4 për qind.
Në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar, në bazën e Regjistrit të çmimeve dhe marrjes me qira, janë vendosur 15.660 transaksione, prej të cilave 11.632 shitje të patundshmërive dhe 4.028 marrje me qira të pronës së patundshme. Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, janë regjistruar 3.878 ngarkesa ndaj patundshmërive me vlerë të përgjithshme prej 776.505.001 euro dhe 4.668.919.709 denarë. Në kryeqytet janë regjistruar 1.504 hipoteka me vlerë 184.281.346 euro dhe 2.286.254.446 denarë.