Rruga lokale në fshatin Llukovicë është një kërkesë e kamotshme e banorëve të këtij fshati. Ndonëse fshati ka pak banorë, megjithatë ata që kanë mbetur atje, disa herë kanë kërkuar nga pushteti lokal dhe qendror që të asfaltohet rruga për në këtë fshat
Qeveria ka ndarë 15 milionë denarë për komunën e Zhelinës për fillimin e rrugës lokale të fshatit Llukovicë. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoja Boçvarski, gjatë vizitës që i ka bërë komunës së Zhelinës. Pas takimit me kreun e komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, është bërë e ditur se në pranverë do të fillojnë punimet për fazën e parë. Krahas kësaj, Sejdiu njoftoi se në këtë komunë, në pranverë do të fillojnë të asfaltohen shumë rrugë lokale në komunën e Zhelinës. “Sot biseduam për shumë projekte, me theks të veçantë për rrugët lokale që duhet të ndërtohen për vitin 2023 në komunën e Zhelinës dhe bëhet fjalë për projekte që janë fituar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve një pjesë dhe pjesa tjetër përmes kësaj ministrie tek fondet e Bankës Botërore.
Kishim edhe një projekt për fshatin Llukovicë, ku nga qeveria na janë transferuar 15 milionë denarë dhe me këta mjete do të realizojmë njërën fazë sepse bëhet fjalë për një rrugë me gjatësi prej 6 kilometra dhe çmimet janë më të larta dhe rruga nuk mund të realizohet tërësisht. Këtu do të bëhet një rrugë për herë të parë sepse nuk ka pasur rrugë asnjëherë. Në pranverë shpresojmë që të fillojmë me realizimin e rrugëve që duhet të shpallen nga kjo ministri edhe atë rruga Pallaticë-Ozormisht, rruga e Kapazhdollit, rruga Zhelinë, rruga në Trebsoh dhe pastaj sipas mundësive do të fillojmë të realizojmë rrugën Zhelinë-Pallaticë”, tha kryetari i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski me këtë rast tha se qeveria dëgjon zërin e qytetarëve dhe kemi gjetur mundësi që të realizojmë kërkesat e tyre. “Menjëherë kemi reaguar që të realizojmë rrugën lokale të fshatit Llukovicë, kemi transferuar 15 milionë denarë në llogari të veçantë të komunës së Zhelinës për këtë rrugë dhe komuna do të bëjë revizion të projektit, dhe do të shpallë edhe procedurë të tenderimit. Ndërsa, poashtu Ministria do të vazhdojë të përkrah projektet që janë prioritete për komunën e Zhelinës. Shpresojmë se kur të lejojnë kushtet klimatike do të fillohet me punë dhe mendojmë se kemi një fillim të mbarë dhe viti 2023 do të jetë vit ku do të ketë realizim të shumë projekteve kapitale si asnjëherë më parë në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.
Rruga lokale në fshatin Llukovicë është një kërkesë e kamotshme e banorëve të këtij fshati. Ndonëse fshati ka pak banorë, megjithatë ata që kanë mbetur atje, disa herë kanë kërkuar nga pushteti lokal dhe qendror që të asfaltohet rruga për në këtë fshat.