Çmimet evropiane të gazit natyror me shumicë ranë të hënën në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, që i çoi ato në një nivel rekord vitin e kaluar, transmeton VOA.
Dimri i butë u ka mundësuar vendeve të konsumojnë më pak gaz nga rezervat që ishin krijuar në pritje të ndërprerjes së furnizimit nga Rusia, e cila ishte furnizuesi kryesor i Evropës me gaz natyror përpara fillimit të luftës në Ukrainë.
Çmimi i gazit natyror arriti në nivel rekord 364 dollarë për megavat-orë në gusht të vitit të kaluar.
Por çmimet kanë rënë që atëherë, duke arritur në 77 dollarë për negavat-orë të hënën, një shifër 50 për qind më e ulët krahasuar me një muaj më parë dhe çmimi më i ulët që nga 21 shkurti i vitit 2022, tre ditë përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Eksportet e gazit nga gjigandi rus i energjisë Gazprom drejt Bashkimit Evropian dhe Zvicrës ranë me 55% vitin e kaluar, thanë drejtuesit e kompanisë të hënën.
Evropa ishte më parë tregu kryesor i eksportit për Gazprom-in, por furnizimet janë ulur në mënyrë drastike për shkak të sanksioneve të lidhura me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Vendet evropiane mbushën depozitat e tyre me rezerva të gazit dhe nisën fushata për të nxitur konsumatorët të kursejnë energji gjatë dimrit.
Nivelet e depozitave të rezervave evropiane ishin në nivel 83 për qind të hënën, duke pakësuar nevojën për të blerë më shumë gaz për momentin.
BE-ja është përpjekur të gjejë burime të reja të gazit natyror në përpjekjet për të pakësuar varësinë e saj të madhe nga furnizimit me gaz natyror rus.
Vendet e BE-së kanë miratuar gjithashtu një mekanizëm për të vendosur çmime tavan për gazin natyror, por analistët thonë se kjo ka të ngjarë të ketë një ndikim të kufizuar në uljen e kostos që paguajnë bizneset dhe familjet.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ulja e temperaturave mund të shkaktojë sërish rritjen e çmimeve të gazit natyror.
Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu mund të shkaktojë më shumë paqëndrueshmëri në tregun e gazit natyror.
“Ai mund të përpiqet të shkaktojë përçarje mes vendeve evropiane duke pakësuar më tej sasinë eksporteve të gazi natyror në disa zona të Evropës dhe duke e shtuara të në zona të caktuara të saj”, thotë Thierry Bros, analist francez i tregut të energjisë.
Evropa do të ndeshet me vështirësi në përpjekjet për për të mbushur depozitatat e rezervave këtë verë nëse nuk merr 30 miliardë metra kub gaz rus, thotë zoti Bros.
“Çmimet rrezikojnë të rriten përsëri”, thotë ai.
Evropa tani është më e përgatitur se në janar të vitit 2022, kur depozitat e rezervave i kishte të mbushura në nivel 54 për qind, shtoi analisti Bros.
Konkurrenca midis Evropës dhe Azisë për importet e gazit natyror të lëngshëm mund të çojë gjithashtu në rritjen e çmimeve, thotë Nicolas de Warren, president i shoqatës franceze të industrive që konsumojnë më shumë energji.