Site icon Tetova Expres

Është e palejueshme që një lëndë ta mbajë një vit gjyqtari-raportues dhe të mos e japë, thotë një gjyqtar i një prej Këshillave pesëanëtarësh për “Target-Fortesa” dhe “Thesari”

Gjyqtarët e Apelit që vendosën për lëndët “Target-Fortesa” dhe “Thesari”, ku ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov u dënua në shkallë të parë me 12 plus 8 vjet burg, gishtin për zvarritjen ia drejtojnë dy gjyqtarëve-raportues, të cilët i kanë ruajtur lëndët një vit përpara se të shfuqizohen dhe të kthehen për rigjykim. Gjyqtar-raportues ishin Enver Bexeti, i cili konkuroi për pozitën e gjyqtarit suprem dhe gjyqtarja Lirije Elezi nga Gjykata e Apelit në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Falë ruajtjes në sirtar të lëndës Target-Fortesa, kjo lëndë e përgjimeve masive ka gjasa të vjetërohet.

“Është e palejueshme që një lëndë gjyqësore të rrijë për një vit te një gjyqtar raportues dhe ai të mos e dërgojë për diskutim, vendimmarrje etj. Kur një gjyqtar-raportues na jep një çështje për ta, punuar, ne në këshill ulemi dhe punojmë. Deri atëherë askush nga ne nuk ka të drejtë ta marrë me dhunë dhe ta fusë në seancë. Një vit pa vendim ankimimi nuk duhet të ndodhë jo vetëm për çështjet me interes të lartë publik, por për të gjitha rastet e ankimuara”, thotë gjyqtarja e një prej këshillave pesë anëtarësh penalë në Apel.

A u janë drejtuar kësaj sjelljeje të dy gjyqtarëve-raportues anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të cilët për të kontrolluar Gjykatën e Apelit në Shkup dhe në çfarë konstatimesh dolën, do të dihet këto ditë.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, tha se konkluzioni i arritur nga tre kontrollorët do të sqarohet në raportin e tyre. Pas festave, të gjithë anëtarët do të kenë takim për ta shqyrtuar dhe për të vendosur se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Përveç këtyre dy lëndëve, Këshilli Gjyqësor ka përfshirë në kontroll edhe “Transporterin” dhe “Alfën”.

Advertisement

Rasti “Transporteri”, ku gjyqtar-raportues është edhe kandidati për gjyqtar suprem Enver Bexheti, është një shembull edhe më flagrant. Një vendim të marrë nëntë muaj më parë, ai nuk e ka shkruar si aktgjykim të formës së prerë. Me ruajtjen paraprake në sirtar, kjo çështje kaloi tre vite të tëra në Gjykatën e Apelit dhe është një lloj rekordi për vendimmarrje të ngadaltë.

Mijalkov mund t’i shpëtojë dënimit edhe për “Titanik 2”
Ish-drejtori i DSK-së po gjykohet për herë të dytë në procesin gjyqësor “Titanik 2”, i cili ka të bëjë me marrëveshjet e fshehta të votimit në KSHZ në lidhje me kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet lokale të vitit 2013. Përveç Mijalkovit, të akuzuar janë edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev.

Rigjykimi pason pasi Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin Mijalkov u dënua me 3 vjet burgim, Menduh Thaçi 3 vjet e 2 muaj dhe të akuzuarit e tjerë, ish anëtarë të KSHZ-së, po ashtu me burgim.

Të gjithë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kompetencave, përveç Mijalkovit, i cili po ndiqet penalisht për marrje të shpërblimit për ndikim kundër korrupsionit.

Kjo lëndë vjetërsohet në prill 2023. Gjykimi tani është në procedurën e provave, mbeten për t’u marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë, por edhe në rastin e një vendimi të shkallës së parë në Gjykatën Penale, pyetja është se sa do të ketë sukses Apeli për të marrë vendim pas ankesave të mundshme nëse merret parasysh kohëzgjatja e procedurës para gjykatës së shkallës së dytë.

Advertisement

Kujtojmë se më 8 mars 2019, Gjykata Penale për këtë rast dënoi ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov me tre vjet burgim dhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, me 3 vjet e 2 muaj. Bedredin Ibraimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj, Vlatko Sajkovski 3 vjet, Sasho Sërcev me 3 vjet dhe Elizabeta Stefanovska po ashtu 3 vjet burg.

Thaci, Ibraimi, Sajkovski, Sërcev dhe Stefanovska u dënuan për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, ndërsa Thaçi u dënua edhe për nxitje.

Mijalkov u dënua për marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo që u ngarkohej njerëzve në pozita të fuqishme, në këtë rast si drejtor i atëhershëm i DSK-së, të cilët kërkojnë apo urdhërojnë zyrtarë dhe persona të tjerë të kryejnë vepra penale.

Sipas aktakuzës së PThP-së, Mijalkov përmes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi ka urdhëruar bashkë-partiakun e tij nga KSHZ-ja Bedredin Ibraimi të votojë për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë, në favor të Vasil Pishev nga VMRO-ja në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune Zoran Zaev.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Advertisement

Ndryshe, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, më 29 dhjetor u lirua nga paraburgimi pasi gjykata ka pranuar garancinë e ofruar prej 11 milionë euro. Mijallkov nga 26 shkurti është në paraburgim në burgun e Shkupit, ai u dënua me tetë vite burg për rastin “Thesar”, për furnizim të pajisjes britanike për ndjekje të komunikimit elektronik për DSK. Gjykim të shkallës së parë prej 12 vitesh burg ka edhe për rastin “Target – Fortesa” për përgjim të paligjshëm ndërsa në rrjedhë janë edhe disa lëndë të tjera për të cilat është i akuzuar.

Exit mobile version