Site icon Tetova Expres

A është i mundur një koalicion i gjerë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe zgjedhje të shpejta parlamentare në pranverë?

A është i mundur një koalicion i gjerë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe zgjedhje të shpejta parlamentare në pranverë? Sipas shkrimeve të portalit “Plusinfo”, ky është plani për të cilin pretendohet se kanë rënë dakord ish kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Një plan i tillë nuk është i pranueshëm për kryetarin aktual të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, kështu që, siç thuhet në tekst, Zaev përgatit rrëzimin e Kovaçevskit nga froni partiak. Kjo do të ishte e mundur përmes deputetëve nga radhët e socialdemokratëve të afërt me Zaevin, të cilët do të anulojnë mbështetjen e tyre për kryesinë e partisë. Sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se në periudhën e kaluar nuk ka pasur asnjë kontakt me Zaevin. Megjithatë, përsëriti se partia kërkon të mbahen zgjedhje të parakohshme. Mickoski pret votim mosbesimi ndaj Qeverisë në fund të janarit ndërsa në votim do të bashkëngjiteshin sipas tij edhe deputetë të shumicës. Për koalicionin e gjerë të mundshëm, Mickoski u përgjigj:

“Qytetarët do të vendosin se cila do të jetë qeveria e ardhshme. Ndoshta VMRO-DPMNE nuk do t’i fitojë zgjedhjet, ndoshta do t’i fitojë LSDM, ndoshta do t’i fitojë BDI ose dikush i tretë, s’ka rëndësi, ndoshta i katërti. Të shohim së pari, të shkojmë në zgjedhje, më 14 ose 21 maj, këto janë datat dhe më pas mund të flasim më shumë detaje”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në të ashtuquajturin Plani i Zaevit dhe Mickoskit, nuk do të ketë vend për BDI në Qeverinë e ardhshme. Sipas tekstit të publikuar, ish-kryeministri, duke ia prezantuar detajet Kovaçevskit dhe anëtarëve të tjerë të partisë, ka thënë se shqiptarëve duhet t’u jepet prezencë 25 për qind në Qeveri, por nuk duhet të jetë BDI-ja e Ali Ahmetit.

I pyetur për pjesëmarrjen e BDI-së në qeverinë e ardhshme, Mickoski ka përsëritur sot se partia e Ahmetit duhet të shkojë në opozitë.

“Nëse më pyesni a ka ardhur koha që BDI të shkojë në opozitë, përgjigja është “po”, pas 20 vitesh është koha që BDI të shkojë në opozitë. Do të ishte mirë, do të ishte e shëndoshë që të kalonin një mandat katërvjeçar në opozitë për të parë si është nga ajo anë. Apo? A jeni dakord kështu?”, shtoi ai.

Advertisement

Sipas planit të publikuar nga mediat, nëse LSDM dhe VMRO-DPMNE së bashku formojnë qeverinë, kryeministri do të ishte nga kampi me më shumë vota. Nëse do të ishte LSDM, socialdemokratët do ta përkrahnin një kandidat për kryetar të shtetit që vjen nga VMRO-DPMNE. Këtë plan Zaevi e prezantoi në një takim në selinë e partisë, ku morën pjesë shumica e kryetarëve të partisë. Oliver Spasovski, ministër i brendshëm nga radhët e LSDM-së i cilësoi si spekulime shkrimet dhe tha se nuk duhet të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm.

“Spekulime, respektivisht pohime që dalin nga takime të pretenduara në të cilat unë nuk kam marrë pjesë dhe nuk dua aspak të komentoj. Të jem decid, kjo Qeveri do të mbetet deri në fund të mandatit të vitit 2024”, theksoi Oliver Spasovski – LSDM.

Sipas mediave se çfarë drejtimi do të zgjedhë LSDM dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Kovaçevskit do të dihet pas seancës së radhës të organeve partiake në janar./Alsat.mk Gazetar: Lluka Andreev

Exit mobile version