Site icon Tetova Expres

Më 14 ose 21 maj të shkohet në zgjedhje

Sipas Mickoskit, më mirë do të ishte, për shkak të stabilitetit të shtetit por edhe për institucione të forta, të shkohet në zgjedhje vitin e ardhshëm, dhe sipas matematikave të tij, datat që i propozon deri te Kovaçevski janë 14 ose 21 maj

Xhenur ISENI

Shkup, 28 dhjetor – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dje realizoi brifing me gazetarët për të bërë një rikapitulim të vitit që po lëmë pas dhe pritjet e tij për vitin e ardhshëm. Ai dha dy propozime deri te Qeveria për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Mickoskit, më mirë do të ishte, siç thotë ai, për shkak të stabilitetit të shtetit por edhe për institucione të forta, të shkohet në zgjedhje vitin e ardhshëm, dhe sipas matematikave të tij, datat që i propozon deri te Kovaçevski janë 14 ose 21 maj. Lideri i VMRO-DPMNE-së në brifingun e djeshëm, potencoi se ka atmosferë për zgjedhje. “Atë që paralajmëron Kovçevski është e papjekur, fillimisht zgjedhjet presidenciale që do të jenë të pasuksesshme, e pastaj zgjedhjet e rregullta parlamentare në vitin 2024. Maqedonia nuk duhet të lejojë një parti, monopol të një partie në pushtet. Në rast të zgjedhjeve të pasuksesshme, kryetari i parlamentit do të jetë në krye të shtetit dhe do të kenë një kryeministër teknik që do të propozohet nga BDI. Ziberi në një intervistë ka treguar se ka marrëveshje të BDI-së dhe LSDM që ai të jetë kryeministër teknik”, tha Mickoski.

Ai tregoi se partia ka zhvilluar edhe anketa me qytetarët lidhur me problemet që i tangojnë por edhe për rejtingun e partive politike. Nëse nesër ka zgjedhje, anketat thonë se dalja do të jetë rreth 53 për qind në zgjedhje të parakohshme. Në to VMRO-DPMNE do të kishte 19.4 për qind të votave, LSDM 11.7, E Majta 6.7, BDI 6.7, ASH 3.6 për qind, e kështu me radhë. Mickoski vlerëson se edhe pse opozita shqiptare është e shpërndarë, ata do të vetëdijesohen kur të vijë koha.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se sipas anketës së opinionit publik, anketa e fundit në terren tregon se qytetarët janë më të shqetësuar për problemet ekonomike dhe varfërinë me të cilin ballafaqohen. “Problemet më të mëdha janë: standardi i dobët, pagat e ulëta 32%, ekonomia 30%, korrupsioni 16%. Por ai thotë se për protesta duhet të presim. “Në këtë moment nuk ka potencial për protesta, numri është nga 10 deri në 15% që thonë se do të mbështesin protestat. Duhet të ketë shumicë, nuk do të dëshironim të luftojmë kundër politikave jolegjitime të qeverisë me pjesëmarrje të ulët”, theksoi Mickoski. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mickoski potencoi se partia udhëheqë politikë principiele. “Thelbi është i thjeshtë, ne nuk ishim pjesë e negociatave, iu ofruam por na refuzuan, ne nuk dolëm në zgjedhje me fushatë se do ta ndryshojmë Kushtetutën. Ne në programin do të shkruajmë se si kjo çështje duhet të zgjidhet”, potencoi Mickoski. (koha.mk)

Advertisement
Exit mobile version