Site icon Tetova Expres

Mosndëshkimi i krimit dhe korrupsionit, Selmani: Po vazhdoi, do të mbesim pa qytetarë

Vendet e Ballkanit Perëndimor, akoma janë të zhytura thellë në korrupsion, këtë e tregojnë edhe raportet evropiane. Ky ishte vlerësimi i profesorëve panelistë në “ARGUMENT” në TVM2. Fakti që sa herë ndryshohen qeveritë, ndryshohen edhe ligjet, që sipas tyre nënkupton se ligjet sillen për qeveritarët dhe jo për qytetarët. E fakt për këtë sjellin faljen e të korruptuarve nga radhët e politikës teksa burgjet janë plot me njerëz të pafajshëm.

“Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që korrupsioni ta gëlltisë Prokurorinë Speciale, fatkeqësisht një strategji e përbashkët serioze se si të luftohet krimi dhe kriminaliteti, sepse nëse do të vazhdojë ky trend që të minimizohet çështja e korrupsionit, krimit dhe kriminalitetit ne do të mbesim pa qytetarë. Maqedonia është e paaftë për ta luftuar korrupsionin dhe kjo i ka kapilarët e zëna dhe ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, prandaj propozoj që të formohet një institucion i veçantë ndërkombëtar ku nga jashtë do të luftohet krimi dhe korrupsioni. Kështu ka bërë BE me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë.”, – u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.

Beqiri: I burgosin para kamerave, i falin në heshtje

“I nisim aksionet policore në mënyrë pompoze ku burgoset edhe ministri i MPB me kamera, bëhet film, kur pritet rezultati s’ka epilog. Kapet ish-drejtori i Sigurimit shtetëror tani i falet gjykimi. 22 vite merren me krimet, me burgjet, me organet ekzekutive, dhe a e dini sa njerëz të pafajshëm janë në burgje dhe sa njerëz fajtorë që kanë kryer krime janë në liri, pse nuk burgosen këto, pse nuk gjykohen këto, por edhe kur të nisen të gjykohen në fund s’ka epilog.”, – deklaroi profesori universitar, Mitasin Beqiri.

Rameti: S’duhet të bëjmë gabime në rrugën drejt BE-së

Advertisement

“Duhet sa më shumë të mendojmë dhe qeveritë duhet të mendojnë dhe të japin mundësi që të jemi në përputhje me kërkesat që i jep Evropa dhe ato të jenë të realizueshme dhe mos të bëjmë gabime në këtë drejtim.”, – theksoi profesori universitar, Besnik Rameti.

Sipas tyre, nuk mund të flasin për gjyqësor të pavarur, përderisa buxheti i këtij gjyqësori është i varur nga buxheti i shtetit. Pranuan, megjithatë se korrupsioni është i pranishëm edhe në Bashkimin Evropian por ky nuk është arsyetim që ai duhet të lulëzojë në RMV.

Exit mobile version