Misioni i OSBE në Shkup do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për të përmirësuar të gjitha segmentet sociale, duke përfshirë sistemin arsimor, i cili në fakt është shtylla kryesore e strategjisë kombëtare për zhvillim.
Pa ofertë të arsimit cilësor, nuk është e mundur të krijohen qytetarë që do të jenë krijues dhe zbatues të ndryshimeve që kërkon koha e re dhe që duhet të ndodhin për integrimin e shtetit në familjen evropiane të vendeve të zhvilluara.
Ky është konkluzioni i takimit të djeshëm të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Dr.Jeton Shaqiri dhe Shefit të ri të Misionit të OSBE në Shkup, ambasadorit Kilian Val, në të cilin u diskutua për reformat aktuale në sistemin arsimor, veçanërisht në fushën e arsimit fillor, por edhe për planet e ardhshme që do të mbështeten nga OSBE. Ministri Shaqiri, siç informojnë nga kabineti i tij, ka theksuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të ndërtojë një mjedis shkollor harmonik në të cilin nxënësit do të kenë besim të ndërsjellë, respekt për njëri-tjetrin dhe qëllimi i tyre i përbashkët do të jetë investimi i njohurive të fituara në përparimin e vendit tonë.