Nuk ndjehem fajtor, tha në fillimin e seancës gjyqësore ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zeqiri pasi prokurorja Katerina Kolareviq lexoi aktakuzën, përkatësisht u shpreh e bindur se do të dëshmojë që Zeqiri kishte lidhur dy kontrata sy më sy, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 1 milion e 450 mijë euro. Kolareviq tha se Zeqiri në fakt duhej të ishte simbol i kryerjes së detyrës me integritet.
“Prokuroria do të vërtetojë se edhe pse i akuzuari si sekretar i përgjithshëm i Qeverisë ka qenë i ngarkuar për zhvillimin e një procedure në kuadër të së cilës do të angazhohet një firmë, një shtëpi konsulente, e cila do të ofrojë propozim-modelin për ristrukturimi i SHA “Posta”, kjo nuk do te thotë që qeveria e liroi atë nga përgjegjësia për të respektuar ligjet, d.m.th. me këtë konkluzion qeveria nuk i dha dore te lire te lidhe kontrata sy në sy me persona juridike qe ai mendonte se ishin kompetentë”, tha Katerina Kolareviq, prokurore.
Kolareviq shtoi se gjithashtu do të vërtetojë se kompania Inter-Holding, ishte themeluar pak kohë para se Zeqiri të lidhte kontratë me atë dhe se nuk kishte kryer asnjë aktivitet tjetër. Ajo tha se Zeqiri nuk kishte respektuar parimet bazë të Ligjit për Prokurime Publike, që mes tjerash është edhe ekzistimi i konkurrencës, transparencës dhe mosdiskriminimi.
Nga ana tjetër Zeqiri në seancë erdhi me 3 avokatë, ata u shprehën të bindur se do të vërtetojnë që ky i fundit nuk ka kryer veprën për të cilën akuzohet dhe se kundërshtojnë çdo gjë që shkruhet në aktakuzë.
“Kundërshtojmë gjithçka, kjo është e thjeshtë, patët rasti vetë ta dëgjoni tani, e kundërshtojmë procedurën, mundësitë ligjore për shërbime konsulentë gjithashtu i kundërshtojmë, e patë edhe sot çfarë ndodhi. Ne jemi të bindur se në rastin konkret nuk ka asnjë element të veprës penale. Aspak kontrata nuk është lidhur në katër sy, dëgjuat sot se ka pasur rekomandime edhe nga Qeveria de detyrime për Zeqirin, gjithçka transparente, këtu është probleme në qoftë se nevojitej të ketë tender apo jo”, u shpreh Miroslav Vujiq, avokat.
Vujiq shtoi se Zeqiri ka qenë i angazhuar nga ana e Qeverisë që të zhvillojë këtë procedurë dhe se qëllimi i vetëm i tij, ka qenë të ndalojë dëmtimin e buxhetit të shtetit nga ana Postës së Maqedonisë dhe Hekurudhave, pasi këta të fundit vazhdimisht punonin në humbje. Mbrojtja kërkoi që në një prej seancave të ardhshme të dëshmojnë Fatmir Bytyqi, Bllagoj Bocvarski dhe Jani Makraduli. Procesin e udhëheq gjykatësja Franka Jançuleva Mihailovska ndërsa seanca e radhës u caktua për më 30 janar. /Alsat.mk Gazetar: Ardit Ramadani