Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar ndaj dhunës së shkaktuar nga njësiti “Tigrat” ndaj disa të rinjve shqiptarë në Shkup, e duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, informon Zhurnal.
Nga kjo parti shprehen se këto keqtrajtime përsëriten vazhdimisht dhe askush nuk jep sqarim për to. Madje siç thonë, disa raste as nuk shënohen në buletinin ditor policor. ASH thotë se njësiti “Tigrat” lëre që është i pakapshëm për punësimin e shqiptarëve, por tani bëhet edhe i pakapshëm për to.
“Ftojmë publikisht ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, zëvendësin e tij Nazim Bushin, si dhe Sektorin për kontroll të brendshëm në MPB që fillimisht të marrin masa për të parandaluar këtë sjellje të dhunshme të policisë, e më pas t’i zbardhin rastet e regjistruara deri më tani,ë dhe t’i sanksionojnë policët që kanë përdorur këto metoda të dhunshme.
Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër këtë sjellje të policisë dhe sigurojmë se për këtë dukuri do t’i njoftojmë të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Policia duhet të jetë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i frikësuar e dhunuar qytetarët”, thonë nga ASH./Zhurnal.mk