Transportuesit privatë të autobusëve edhe sot vazhdojnë me protestat përmes bllokadave në disa prej pikave kryesore në komunikacionin e kryeqytetit. Sipas deklaratave të deritanishme nga ana e tyre, ata nuk do t’i mënjanojnë autobusët derisa nuk përmbushen kërkesat e parashtruara për pagesë të borxhit që e kërkojnë nga Qyteti i Shkupit. Paralajmëruan se bllokadat mund të zgjerohen në më shumë pika në komunikacionin e Shkupit.
“Siç paralajmëruam, sot autobusët janë parkuar dhe do të jenë këtu derisa të mos ketë përparim të gjendjes, përkatësisht të mos na thirrin në bisedime dhe të dakordohemi për dinamikën e pagesës së borxhit të mbetur, të vazhdojnë pagesat e së dielës në mënyrë që të mund të kyçemi në linjë, e tërë kjo me qëllim që të mos pësojnë qytetarët”, deklaroi dje Kemal Muriq nga “Slloboda prevoz”.
Gjatë ditës së djeshme, përmes kumtimit në rrjetet sociale, “Slloboda prevoz” u kërkoi falje qytetarëve të Shkupit për lëvizjen e penguar në qytet.
Qytetarët ndërkohë, ishin të detyruar të gjejnë alternativa në komunikacion, por, për shkak të tollovisë së shtuar nëpër rrugët dhe bulevardet alternative, pati pengesa në pjesën më të madhe të rrugëve në kryeqytet, përderisa disa qytetarë zgjodhën të udhëtojnë me biçikleta, trotinetë, apo në këmbë drejt destinacioneve të veta.
Drejtori i “Slloboda prevoz”, Lenin Jovanovski, në deklaratë për mediumet tha se bllokadat e transportuesve privatë në Shkup vazhdojnë gjithnjë derisa nuk ulen në tryezë me kryetaren e Qytetit, Danella Arsovska dhe të mos gjendet zgjidhje adekuate ligjore.
Ai kërkoi edhe nga institucionet e tjera të kyçen në gjetjen e zgjidhjes për këtë problem dhe paralajmëroi se është e mundur zgjerim i caktuar i protestave.
Kumtoi se edhe në “Slloboda prevoz” dje ka arritur njoftimi për shkëputje të kontratës me Qytetin e Shkupit, ndërkaq në pyetjen e MIA-s nëse nga unanimitet nga ana e transportuesve privatë se nuk do t’i përgjigjen thirrjes, Jovanovski u përgjigj se askush prej tyre nuk do të paraqitej, duke e ditur se Qyteti tashmë u ka borxh para.
Përfundoi se transportuesit privat mbeten të vendosur në protesta, nëse nevojitet do t’u bëjnë thirrje edhe fëmijëve të tyre, me qëllim që të arrijnë tek kryetarja e Qytetit dhe ajo të shohë se nuk kanë t’u sigurojnë shujtë adekuate për në shkollë.
Qyteti i Shkupit dhe kryetarja e Qytetit Arsovska dje nuk dolën me qëndrim ndaj protestave dhe kërkesave të transportuesve privatë të autobusëve.
Kryeministri DImitar Kovaçevski, nga ana tjetër, akuzoi se kaosi që po i ndodhë kohëve të fundit Qytetit të Shkupit, është, siç tha, vetëm për shkak të paaftësisë dhe interesave të biznesit të VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të tyre, Hristian Mickoski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq, bëri thirrje të ulen dhe të bisedohet me ata të cilët protestojnë, ndërkaq, siç theksoi, qytetarët të mos jenë pengje të subjekteve politike.
Transportuesit privatë të autobusëve kërkojnë nga Qyteti i Shkupit të shlyhet borxhi ndaj dy kompanive, i cili në tërësi paraqet mbi 90 milionë denarë, sepse, siç thonë, nuk kanë mjete për funksionim të mëtutjeshëm për shkak të mungesës së parave.
U.d. drejtori i Ndërmarrjes publike të qarkullimit – Shkup, Aleksandar Stojkovski, javën e kaluar në intervistë për MIA-n tha se borxhin e ka trashëguar dhe se duhet të shlyhet. Por, njëkohësisht përmendi se sipas analizave të fundit, transportuesit privatë në pesë vitet e fundit nuk kanë paguar, përkatësisht nuk kanë detyruar kurfarë bileta, ndërkaq kjo, siç tha, është obligim i tyre, sipas nenit 5 të kontratës mes NPQ dhe transportuesve privatë.