Ministria e Mjedisit ka ndërprerë kontratën me kompaninë franceze “NGE” e cila po ndërtonte sistemin e grumbullimit të ujërave të zeza në lumin Vardar. Kontrata u ndërpre për shkak të një sërë problemesh me kontraktorin gjatë ndërtimit. Tani kolektorët, të cilët janë parakusht për ndërtimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, do t’i ndërtojë Ministria e Mjedisit dhe do të sigurohen para me buxhetin për vitin e ardhshëm, trransmeton Portalb.mk.
“Ka mbetur që të vendosen tubacione edhe për 900 metra dhe të ndërtohen 10 boshte. Gjatë ndërtimit ka pasur shumë probleme, kompania ka kërkuar para shtesë për punimet e ndërtimit. Nuk do të lejoj askënd të na shantazhojë. Mosmarrëveshja është fituar në favorin tonë në një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtar dhe kontrata do të ndërpritet pa paguar asnjë gjobë. Pjesa tjetër është një pjesë e vogël në lagjen Lisiçe, afër deponisë Vardarishte. Kah fillimi i vitit të ardhshëm do të shpallim tenderin edhe për përfundimin e kësaj pjese”, thotë ministri i Mjedisit Naser Nuredini.
Sistemi kolektor i ujërave të zeza në lumin Vardar në Shkup filloi të ndërtohet në qershor të vitit 2018, ndërsa në fillim të punimeve u tha se do të ishte gati në fillim të vitit 2020. Ambasadori i atëhershëm francez në vend , Christian Thimonier, tha se gjatë punimeve të ndërtimit do të përdorte mekanizimin më të fundit, gjegjësisht makina që mund të kryejnë gërmime në thellësi 6 metra.
Ndërtimi kushton rreth 10 milionë euro, nga të cilat rreth 9 milionë euro janë siguruar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
“Ky është një nga projektet që financohet nga BE-ja dhe ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit dhe të popullatës. Projekti parasheh ndërtimin e rrjetit të kanalizimit 8 kilometra në të dy anët e Vardarit. Me ndërtimin e këtij sistemi ujërat në lumin Vardar do të pastrohen dhe jam i kënaqur që ky projekt i rëndësishëm do të realizohet në Shkup përmes fondeve të BE-së”, tha ambasadori evropian Samuel Zhbogar në fillim të punimeve ndërtimore.
Pas ndërtimit të sistemit kolektor, do të menaxhohet nga Qyteti i Shkupit, gjegjësisht NP “Ujësjellës dhe kanalizim”.
Përndryshe, procedura e tenderit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza është shpallur në qershor të vitit 2020 dhe zbatimi praktik i tij në terren duhet të kishte filluar tashmë këtë vit. Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit ishte 2026. Objekti kapital i Shkupit duhet të mbledhë ujërat e zeza nga rreth 500.000 banorë të kryeqytetit dhe t’i derdhë të pastruara në lumin Vardar, me çka do të tejkalohet problemi me ndotjen ekzistuese të ujërave të lumit.