Zv. kryeministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, do të hapë sot në Bruksel skriningun bilateral për kapitullin 23, “Drejtësia dhe të drejtat themelore”.
Në dy ditët e ardhshme, Grupi Punues për Negociata, përmes 24 prezantimeve, do të prezantojë pozicionin dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Maqedonisë së Veriut në raport me të drejtën evropiane në fushën e gjyqësorit, politikës kundër korrupsionit, të drejtat themelore, të drejtat dhe mbrojtjen e pakicave dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së, para ekspertëve të Komisionit Evropian.
Sekretarja shtetërore e Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe Zëvendës kryenegociatorja me BE-në, Drita Abdiu-Halili, është pjesë e ekipit negociator maqedonas, ndërsa anëtarë të Grupit punues për negociata janë përfaqësues nga Zyra e Zëvendëskryeministrit në ngarkuar për politika të mirëqeverisjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Zyra e Prokurorit Publik, Komisioni Shtetëror për Parandalimi të Korrupsionit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia e Kadastrës dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane.
Kapitulli 23 “Drejtësia dhe të drejtat themelore” përfshinë fushat e drejtësisë, politikës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore. Parimet evropiane për të drejtat themelore janë përcaktuar në Kartën e të Drejtave Themelore, e cila është ligjërisht e detyrueshme për shtetet anëtare pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës.