Site icon Tetova Expres

Çerdhet e Tetovës kanë mungesë stafi, MPPS refuzoi kërkesën për punësime

Për shkak të mungesës së edukatoreve, përkëdhelëseve por edhe stafit teknik, çerdhet e Tetovës rrezikojnë funksionimin. Drejtuesit e çerdhes thonë se për shkak të mungesës së stafit, shërbimi mund të mos jetë në nivelin e duhur. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) janë kërkuar rreth 30 punësime, por kërkesa është refuzuar.

“Është e pamundur me këto numra që kemi të të punësuarve të japim shërbime efikase për më të vegjlit tanë. Ne si institucion jemi drejtuar në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale që punonjësit që kanë dalë në pension dhe ato që kanë ndërprerje të marrëdhënieve të punës të zëvendësohen, por deri më sot nuk kemi përgjigje. Nevoja më e madhe është për përkujdesëset por edhe edukatoreve por edhe personelit teknik. Pastrimi i objekteve bëhet me punonjës jo me preparate teknike dhe në bazë të numrit që kemi nuk mund të mirëmbahen si duhet objekteve”, deklaroi Fatlinda Jaja, drejtoreshë e çerdhes “Rinia” Tetovë.

Kërkesë për zgjidhje është bërë edhe në këshillin komunal të Tetovës. Kreu i Këshillit thotë se do të shqyrtohen hapat ligjorë, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e protestave.

“Në gjitha çerdhet realisht ka mungesë të stafit të punës për mbarëvajtjes së procesit, si kuzhinier, përkujdesës, e tjera. Por kërkesa që ka parashtruar çerdhja në Ministri nuk ka gjetur zgjidhje. Tani ka bërë kërkesë edhe tek ne për të marrë pëlqim që të plotësohet kërkesa që Ministria ta sheh aspektin tjetër. Nëse nuk jepet sërish pëlqimi për këto punësime atëherë mbase do ketë edhe forma të tjera koordinuese që të bëhet protestë apo kërkesë në forma tjera demokratike që kemi”, u shpreh Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal-Tetovë.

Në gjitha objektet e çerdheve të Tetovës, nën përkujdesje janë mbi një mijë fëmijë, ndërsa në listë pritjeje janë mbi 150 fëmijë, të cilët për shkak të mungesës së stafit nuk pranohen në çerdhe./Alsat.mk  Gazetar: Bashkim Sulejmani

Advertisement
Exit mobile version