Site icon Tetova Expres

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e përshëndet marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dokumenteve shtesë për hyrje-daljet ndërmjet dy vendeve.

“Tërheqja e Serbisë prej dokumenteve shoqëruese shtesë për kalimin kufitar dhe e Kosovës nga përgjigja në mënyrë reciproke ndaj kësaj praktike, është vendimi më i mirë që u shërben qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e KASh.

Ky vendim, sipas KASh-it, është gjithashtu mënyra më e dobishme për t’i shërbyer normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe për t’i dhënë kuptim dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me mbështetjen e ShBA-së.

KASh tha se zotimet e ndërmarra nga të dy vendet në këtë dialog duhet të gjejnë zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakthyeshëm.

“Dialogu nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm frigoriferik të statukuosë, por të përparimit të qenësishëm, në përputhje me qëllimin e tij. KASh përshëndet angazhimin e të dërguarve të posaçëm të BE dhe ShBA, Lajçak dhe Eskobar, Përfaqësuesit të lartë Borrell dhe Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg, për frenimin e përshkallëzimit të situatës dhe rikthimin në tryezën e një dialogu përmbajtjesor të të dyja vendeve”, thuhet tutje.

Advertisement

KASh u bën thirrje BE-së dhe ShBA-së, për vazhdimin e angazhimit intensiv për arritjen e një marrëveshjeje të plotë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që stabilizon marrëdhëniet politike, përfshin njohjen reciproke mes dy shteteve bashkë me detyrimin dhe përgjegjësinë për zbatimin e pakthyeshëm të zotimeve të marra.

Exit mobile version