Site icon Tetova Expres

Mosndëshkueshmëria stimulon krimin e organizuar dhe korrupsionin

Dyshimet për ekzistimin e një skeme për pastrimin e parave përmes kredive fiktive në Maqedoninë e Veriut dhe reagimi i shpejt i institucioneve për të mos vepruar, sipas njohësve të çështjeve ekonomike dhe ekspertëve të luftës kundër korrupsionit, hedhin dyshime nëse pas një skeme të tillë fshihen dhe njerëz të pushtetit.

Arif Musa, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Xhevdet Hajredini, ish-ministër i Financave dhe njohës i çështjeve ekonomike, thonë për Radion Evropa e Lirë, se organet kompetente duhet të veprojnë me kujdes dhe të analizojnë në detaje të gjithë pretendimet, në veçanti kur për bëhet fjalë për hetim të porositur nga ekspertë të jashtë, pavarësisht dyshimeve që mund të ekzistojnë për punën e tyre.

Dyshimet për pastrim të parave përmes kredive fiktive janë paraqitur nga Trifun Kostovski, aksionari kryesor i bankës së falimentuar “Eurostandard” nga Shkupi, i cili ka pranuar përfshirjen pa dijeninë e tij edhe të bankës së tij në këtë aferë.

Nga kjo skemë është thënë se janë dëmtuar 149 klientë të bankës “Eurostandard” me rreth 50 milionë euro.

Kostovski kishte angazhuar një ekip hetuesish të huaj, të udhëhequr nga Drago Kos, president i grupit të punës të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për korrupsionin në bizneset ndërkombëtare dhe ish-president i GRECO-s.

Advertisement

Hetimi ka përfshirë bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut si dhe 45 kompani, por Prokuroria Publike e Shkupit ka vendosur të mos hetojë rastin me arsyetimin se “dyshimet janë të pabazuara” dhe se kompetent për një rast të tillë janë institucionet vendore.

Musa thotë se këto pretendimet duhej të hetoheshin pasi në të kundërtën raste të tilla hedhin dyshime mbi fshehjen e krimit.

“Fenomeni i Bankës Eurostandard është i pashpjegueshëm sepse këtu janë të përzier ata që janë në pushtet. Nesër mund të kemi një tjetër parti, një tjetër pushtet, i majtë apo i djathtë dhe përsëri kemi të njëjtin avaz”.

“Te ne nuk ka ndëshkim për njerëzit të cilët e keqpërdorin detyrën dhe autorizimin zyrtar. Mosndëshkimi ka sjellë edhe rritjen e kriminalitetit ekonomik, përfshirë edhe pastrimin e parave, korrupsionin, keqpërdorimin e pasurive shtetërore… Mosndëshkueshmëria është bërë fenomen që dita-ditës po e trashë dëmin të quajtur korrupsion dhe kriminalitet ekonomik”, thotë Musa.

Në reagimin e Prokurorisë Publike thuhej se “nga provat e siguruara dhe nga ekspertiza rezulton se personat fizikë të paraqitur, nuk e kanë shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe as nuk i kanë tejkaluar kufijtë e autoritetit zyrtar, me qëllimin përfundimtar dëmtimin e personave juridikë”.

Advertisement

Ndërsa Hajredini thotë se nuk janë të pakta rastet për përfshirje të organeve të ndjekjes në shpërdorime të detyrës. Ai përmend rastin e burgosjes së ish-prokurores speciale, Katica Janeva, dhe suspendimin e prokurores për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska.

Hajredini thotë se nuk ka dilema se skema të ndryshme përfshirë edhe këtë për dyshime për kamata fiktive janë të përfshirë edhe politikanë, por se hetime për ta nuk do të ketë.

“Edhe vetë prokurorët, gjykatësit, kryetarët e gjyqeve kanë interesa personale dhe nuk mund të gjesh qoftë një prokuror apo gjyqësor që ka guxim të dalë dhe të procedojë lëndët ku lakohen emrat e politikanëve në pushtet, jo vetëm të politikanëve, por edhe anëtarëve dhe të individëve të partive në pushtet. Mund të pësojnë vetëm ata që nuk janë anëtar të partive në pushtet”, thotë ai.

Veprimet e tilla apo moshetimi deri në fund i pretendimeve për shkelje ligjore, sipas Arif Musës, ish-anëtar i anti-korrupsionit, rrënon imazhin e institucioneve në sytë e qytetarëve.

“Qytetarët këtu janë gjithnjë e më të dëshpëruar, nuk kanë besim në institucione. Ata janë edhe viktimë e kriminalitetit të organizuar kurse përgjegjësit janë të paprekshëm. Ky dëshpërim është i skajshëm andaj edhe duan të ikin dhe të mos të dëgjojnë për vendin ku kanë lindur sepse nuk kthehet besimi i humbur pasi për të fituar besimin duhet minimum dhjetë vjet punë”, thotë Musa.

Advertisement

Sipas raportit të hetuesve të huaj, skema e pastrimit të parave përmes sistemit fiktiv të kamatave kishte nisur më 2004.

“Si bëhej kjo? Banka A [ndonjëherë dy ose më shumë banka merrnin pjesë në të njëjtën skemë] i ka dhënë një kredi një kompanie prej gjysmë milioni eurosh. Po atë ditë, ajo kredi i ka shkuar Bankës B, e cila po atë ditë i ka dhënë një kredi prej gjysmë milioni euro të njëjtës kompani, e cila i është kthyer Bankës A të nesërmen”, thuhet në hetimin e ekspertëve të jashtëm.

Kjo sipas tyre ishte e pamundur të bëhej pa një bashkëpunim të përbashkët dhe dokumente të përgatitura paraprakisht.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar edhe Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar si “të pasakta dhe të parëndësishme dhe të motivuara nga interesa personale dhe motive private” gjetjet e hetimit ndërkombëtar./REL

Advertisement
Exit mobile version